Lajme

Superklasikja Brazil-Argjentinë, Tite zgjohet në mes të natës prej Mesit

Kupa e Amerikës ka hyrë në fazën më interesante të saj. Gjysmëfinalja Brazil-Argjentinë, ose finalja e parakohshme e këtij kompeticioni, luhet në orën 02:30 të datës 3 korrik dhe pritet me mjaft interes nga tifozët brazilianë. Dhe kjo pritshmëri e madhe krijon rrjedhimisht edhe presion te Brazili. E pranon trajneri i Seleçaos, Tite, i cili për të larguar presionin ka theksuar se “Superklasikja” do të jetë një ndeshje e madhe. Ai ka pranuar gjithashtu edhe faktin se Lionel Mesi e ka lënë pa gjumë.

"Po, jemi në ankth përpara ndeshjes me Argjentinën. Në ankth të madh madje. Kjo ndodh, sepse pritshmëritë për Brazilin janë shumë të mëdha. Rezultati? Nuk po arrij të fle natën. Megjithatë, jam i sigurt: do të jetë një ndeshje spektakolare”, - ka theksuar në fillim trajneri Tite, i cili më pas ka treguar me sinqeritet se çfarë duhet bërë për të ndalur yllin e Argjentinës, Lionel Mesin: "Dje u zgjova në orën 3:15 të mëngjesit dhe fillova të mbaja shënime. Për fat të mirë, kisha bashkëshorten në shtrat dhe më pas fjeta më mirë. Mesi? Ai mund të bëjë diferencën në çdo moment. Është një lojtar që nuk mund të neutralizohet, por mund të zvogëlojmë zonën e tij të veprimit për ta limituar në lojë”.

Mesi gjatë një ndeshjeje mes Brazilit dhe Argjentinës

Nën drejtimin e Tites, Brazili e ka mundur Argjentinën 3-0 gjatë ndeshjeve kualifikuese për në Botërorin e Rusisë. "Ajo fitore nuk ka të bëjë fare me ndeshjen që luajmë në këtë moment. Nuk është aspak një avantazh për Brazilin. Do të jetë një ndeshje e madhe, kuptohet, sepse mes brazilianëve dhe argjentinasve rivaliteti është jashtëzakonisht i madh”, - ka përfunduar trajneri i Brazilit, vendit organizator të Kupës së Amerikës, që pret kalimin e Seleçaos në finale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë