Futboll

Superiorja ul siparin, Tirana gati për festë, vetëm vendi i 2-të i hapur

Mbyllet sot kampionati i Superiores me javën e 36-të, një kampionat i pazakontë, i mbushur me peripeci të fushës, por që më shumë do të mbahet mend për ndërprerjen e gjatë nga pandemia e Koronavirusit dhe ndeshjet pa tifozë.

Një javë formale në fakt, sepse verdiktet janë dhënë, me përjashtim të vendit të dytë që është i hapur matematikisht. Kukësi, që e mban aktualisht këtë vend, luan në Gjirokastër me Luftëtarin dhe nuk pritet të ketë probleme. Laçi i vendit të tretë është 2 pikë prapa (61 ndaj 63 të kuksianëve), por sot luan në fushën e vështirë të Teutës.

Tirana e zyrtarizuar kampione është bërë gati për festën e titullit. Ndeshjen e fundit e luan në shtëpi me Bylisin dhe është zgjedhur ora 19:00 pikërisht për këtë qëllim. Drejtuesit e klubit bardheblu këmbëngulën për të pasur tifozë në stadium, por kërkesa e tyre nuk është pranuar. Rezultati sot nuk ka rëndësi, megjithatë Tirana do kërkojnë fitoren për ta mbyllur këtë kampionat në kuotën e 72 pikëve. I vetmi shqetësim në shtëpinë bardheblu lidhet me merakun e vendimit të Komisionit të Etikës sa i takon hetimit të ndeshjes me Bylisin në Kupën e Shqipërisë.

Nga një ndeshje mes Skënderbeut dhe Partizani këtë sezon. Gazeta Si, 29 korrik 2020

Partizani shkon në Korçë, ku përballë do të ketë me shumë mundësi trajnerin e tij të ardhshëm, Ilir Dajën. Edhe pse të kuqtë mund ta kalojnë Skënderbeun me një fitore të mundshme, pasi janë 2 pikë pas, për ta nuk ka ndonjë rëndësi ky fakt, sepse janë tashmë jashtë Kupave të Europës. Në Europë do të shkojnë Tirana, Kukësi, Laçi dhe Teuta. Nga kategoria kanë rënë Flamurtari dhe Luftëtari.

Vllaznia pret Flamurtarin në Shkodër, në një ndeshje që do t’i shërbejë asaj të “Play-out”-it, ku do të vendoset qëndrimi ose jo në Superiore. Po sot shkodranët do të mësojnë kundërshtarin e kësaj ndeshjeje, që do të dalë nga çifti Besëlidhja-Pogradeci, dy skuadrat që u renditën të dytat në grupet e tyre në Kategorinë e Parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë