Futboll

Superiorja sot e gjitha në fushë

Javë e ngjeshur kjo për Superioren. Luhet sot java e 28-të e kampionatit dhe kalendari rezervon disa sfida interesante. Janë duele në distancë sa i takon luftës për titullin kampion, por edhe për zonën europiane.

Në orën 17:00, në fushën e lojës do të zbresin pesë çifte, të cilat luajnë për objektiva të ndryshëm. Takimi kryesor luhet në kryeqytet. Kukësi i vendit të dytë përballet me Partizanin dhe fitorja është detyrim. Të kuqtë kanë nevojë për pikë duke qenë se objektiv të vetëm kanë marrjen pjesë në Kupat e Europës, pas disfatës së javës së kaluar ndaj Skënderbeut.

Pas rezultateve negative ndaj COVID-19, Tirana do të përballet në transfertë me Luftëtarin. Bardheblutë do të kenë dy mungesa të rëndësishme, pasi Agustin Torasa dhe Erjon Hoxhallari do të mungojnë për takimin e sotëm. Dy lojtarët ishin me tre kartonë të verdhë dhe me marrjen e kartonit të katërt të verdhë, ata do të humbasin sfidën në Gjirokastër.

Një tjetër duel interesant do të jetë ai mes Flamurtarit dhe Skënderbeut në Vlorë, pasi një fitore e korçarëve mund të zyrtarizojë rënien matematikisht nga kategoria të ekipit vlonjat. Bylisi pret në shtëpi Teutën, me ballshiotët që kërkojnë me ngulm fitoren, për tu larguar nga zona e “play out”. Laçi pret Vllazninë dhe ka një mundësi të mirë për të marrë tri pikët, me shkodranët të mbetur pa trajner, pas largimit të Mirsad Jonuz.

Java e 28-të, sot

17:00 Partizani-Kukësi

17:00 Luftëtari-Tirana

17:00 Bylis-Teuta

17:00 Laçi-Vllaznia

17:00 Flamurtari-Skënderbeu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë