Futboll

Superiorja kthehet me futboll të protokolluar, por mes shumë të panjohurash

Dhjetë 10 javë të Superiores që startojnë sot do të jenë një kampionat më vete, një kampionat i paprovuar më parë. Pandemia e koronavirusit e ndali topin më shumë se dy muaj, duke i lënë skuadrat të stërviten në shtëpi, por edhe të përjetojnë frikën e rikthimit, tashmë të protokolluar. Gjithçka u stopua pas javës së 26-të, kur skuadrat ishin në kulmin e formës sportive, ndërsa tani e nisin thuajse nga zero, por do të jetë një garë në kushte të barabarta.

Një futboll shumë më ndryshe në një kohë, kur në kushte normale do të kishte mbetur maksimumi ndonjë ndeshje shtesë për t’u zhvilluar. Një rikthim pa tifozë, në temperatura të larta, me një formë fizike të brishtë, me lojtarë të rrezikuar nga dëmtimet dhe me kushte higjienike shumë strikte e shumë rregulla të tjera për t’u zbatuar. Futboll me “silenciator”, pa protesta te gjyqtari, pa përqafime për golin dhe patjetër me ritëm të ngadaltë. Gjithsesi, e rëndësishme është që fatet e sezonit do t’i vendosë fusha dhe në këtë rast, sido që të shkojë, polemikat do të jenë më të pakta.

Tirana, me 53 pikë në krye të renditjes, ka detyrën të ruajë diferencën prej 9 pikësh që ka me Kukësin e vendit të dytë. Skuadra e trajnerit Emanuel Egbo riniset nga Ballshi, ku e pret Bylisi i prekur së fundi nga koronavirusi. Lojtari ballshiotëve, Eridon Qardaku, rezultoi pozitiv dhe sigurisht mungon. Të tjerët rezultuan negativë për fat të mirë, por trajneri Dovedan do të ketë sot edhe mungesa të tjera.

Nga një ndeshje mes Partizanit dhe Skënderbeut këtë sezon. Gazeta Si, 3 qershor 2020

Gara më interesante pritet të jetë për skuadrat që do të shkojnë në Europë, me Partizanin që duhet patjetër të ngjitet në 4-shen e parë për të shpëtuar sezonin, sepse titullin kampion e ka dorëzuar tashmë. Të kuqtë luajnë sot në mbrëmje me Skënderbeun, ndeshja më e rëndësishme e javës dhe që mbetet për t’u parë se çfarë sjellje do të kenë skuadrat pas shkëputjes së gjatë.

Kukësi ka një ndeshje të lehtë sot, teksa pret Luftëtarin, një nga skuadrat që duket se e ka prerë “biletën” për në Kategorinë e Parë, ashtu si dhe Flamurtari, që pret Vllazninë. Shkodranët vijnë pas shumë problemesh që shkuan deri te bojkoti i styërvitjes për shkak se skuadra nuk ishte paguar për 4 muaj. Laçi-Teuta është një sfidë direkt për Ligën e Europës, ku kurbinasit kanë avantazhin e fushës. Asgjë nuk mund të parashikohet, pasi as vetë protagonistët e fushës nuk e dinë realisht se në çfarë gjendje janë pas 3 muajsh pa ndeshje zyrtare.

Superiorja, java e 27-të
Bylis-Tirana (17:00)
Kukësi-Luftëtari (17:00)
Flamurtari-Vllaznia (17:00)
Laçi-Teuta (17:00)
Partizani-Skënderbeu (20:00)

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë