Futboll

Superiorja ecën me shpejtësi! Luhet sot Egnatia-Dinamo, në fushë edhe Partizani

Gazeta Si – Pas ndeshjeve të së hënës për javën e 25-të, shumë shpejt nis edhe java e 26-të. Ndeshjet e kësaj jave luhen sot dhe nesër, duke qenë se mesjavën e ardhshme luhen ndeshjet e Kupës së Shqipërisë.

Java hapet me një duel interesant, Egnatia-Dinamo. Një ndeshje që luhet pa tifozë, për shkak të dënimit të dhënë një ditë më parë nga Komisioni i Disiplinës për fushën e Rrogozhinës. Egnatia kryesuese nuk fiton prej disa javësh dhe sot vjen me mungesa. Duhet reagim, pasi Vllaznia është afruar 6 pikë.

Dinamo në anën tjetër lufton për 4-shen e parë dhe pas humbjes me Vllaznië synon të marrë pikë në Rrogozhinë. Skuadra e Mehmetit ka një garë në distancë me Tiranën, janë me pikë të barabarta. Tirana luan të shtunën në fushën e Vllaznisë dhe nëse Dinamo merr pikë sot, ka shanse për ta kaluar.

Luhet sot edhe dy ndeshje të tjera të javës së 26-të. Laçi përballet me Skënderbeun, ndërsa në orën 17:00 Partizani do të presë Kukësin e vendit të fundit dhe në krizë të thellë. Një mundësi ideale kjo për Partizanin për t’u rehabilituar pas humbjes në Korçë.

Të shtunën luhen dy ndeshjet e fundit të javës, Teuta-Erzeni dhe Vllaznia-Tirana.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë