Futboll

Superiore/ Teuta e Partizani “synojnë” kreun, Tirana kërkon fitoren e tretë

Nis java e 23-të e Kategorisë Superiore, teksa tre ndeshje zhvillohen sot. Në fushë në orën 13:00 zbresin kampionët e Tiranës, që udhëton në Kamzë për të sfiduar Kastriotin. Bardheblutë vijnë pas dy fitoresh radhazi dhe do të kërkojnë të ruajnë ecurinë pozitive, për të provuar arritjen e një vendi në zonën europiane të renditjes, por më parë duhet të marrin tre pikët sot ndaj Kastriotit, që ka treguar se është një “kockë e fortë” që mund t’i hapë punë kujtdo.

Për më tepër krutanët vijnë pa presionin e pikëve, pasi vetëm matematikisht nuk e kanë siguruar ende mbijetesën dhe mund të përfitojnë maksimalisht nga ky avantazh, për të marrë një tjetër rezultat pozitiv.

Sakaq, edhe Teuta është aty e përfshirë në garën e titullit, vetëm një pikë larg Vllaznisë ndërsa sot ka një transfertë të vështirë në Ballsh, ndaj Bylisit. Në fazën e parë në stadiumin Adush Muça kjo sfidë është mbyllur në barazim pa gola, e vendasit do të kërkojnë të përsëriten apo të bëjnë më mirë për të konsoliduar pozitat në klasifikim.

Në orën 16:00 në fushë zbret gjiganti tjetër i kryeqytetit, Partizani. Të kuqtë përballen me Skënderbeun në “Elbasan Arena”. Ilir Daja do të gjejë përballë të shkuarën e tij, skuadrën me të cilën ka bërë historinë, por që sot ka mundësi t’i japë një tjetër goditje dhe ta çojë edhe më afër rënies në Kategorinë e Parë.

Pas barazimit ndaj Apolonisë tri ditë më parë, “të kuqtë” janë të dënuar të fitojnë, për të provuar të marrim kryesimin e kampionatit, aq më tepër që gara për zonën europiane të renditjes është bërë vërtetë e ashpër.

Nga ana tjetër korçarët janë në kuotën e 13 pikëve në vendin e fundit dhe zonën Play Out e kanë 5 pikë larg, ndaj një tjetër humbje sot do t’ua shuante shpresat për të mbijetuar në elitën e futbollit shqiptar.

SUPERIORE – JAVA 23

13:00 Kastrioti-Tirana

13:00 Bylis-Teuta

16:00 Partizani-Skënderbeu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë