Muzike

‘Sunny Hill Festival’, nis maratona 4 ditore. Dua Lipa, fushatë sensibilizuese për liberalizimin e vizave për Kosovën

Në Prishtinë starton këtë mbrëmje ‘Sunny Hill Festival’, i cili do të vijojë deri mbrëmjen e 7 gushtit në Parkun e Gërmisë.

Para fillimit të festivalit, këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa që është edhe organizatore e këtij festivali, ka mbajtur një konferencë për media.

I pranishëm në konferencë ka qenë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Gjatë konferencës, Komuna e Prishtinës dhe ‘Sunny Hill Foundation’ kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, ndërkohë Përparim Rama i ka dhuruar Dua Lipës simbolin e qytetit të Prishtinës ‘Hyjneshën në Fron”.

26-vjeçarja, e cila do të hapë sonte festivalin, është shprehur se ndihet krenare dhe shumë e lumtur për faktin që ndodhet sërish në vendin e saj teksa tha se të gjithë vëmendjen e ka tek performanca e sotme.

Këngëtarja Dua Lipa gjatë konferencës për shtyp

“Dua vetëm të falënderoj të gjithë për ndihmën, energjinë dhe dashurinë që na jepni në këto ditë dhe mbështetjen për fondacionin që e kam shumë përzemër, ndjehem krenare që jam këtu, vëmendjen e kam pasur vetëm te performanca, shpresoj që do t’ju pëlqej e të kënaqemi, po ndihem shumë mirë që jam në shtëpinë time, në vendin tim”, u shpreh Dua gjatë konferencës për shtyp.

Pak orë para nisjes së festivalit, nga faqja e Sunny Hill ka nisur edhe një fushatë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Me moton “Më lër të lirë”, kjo fushatë nis sonte ku qysh në hyrje të festivalit mund të bëhet thirrje për liberalizimin e vizave.

“Sunny Hill Festival ju fton të thërrisni me zë të lartë #Setmefree për një Kosovë pa viza. Njëmbëdhjetë vjet përmes një procesi të bllokuar integrimi, ne jemi të vetmit që nuk mund të kalojmë lirisht kufijtë pa vizë. Por ndërsa BE-ja vendos kufijtë rreth lirisë sonë, ne do të mbajmë imagjinatën tonë të gjallë për t’u lënë të lirë”, shkruan në postim të “Sunny Hill Festival”.

Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa ka arritur mbrëmë në Prishtinë. Ndërsa sot Lipa sot ka publikuar një foto nga Gërmia ku ka shkruar: “Kontrolli i zërit në mëngjes, mezi po pres natën e sotme, nata 1 nga 4, Sunny Hill Festival”.

Gjatë këtyre katër ditëve sa zgjat festivali, në skenë do të ngjiten emra të njohur botërorë si dhe nga Kosova e Shqipëria: J Balvin, Diplo dhe Skepta, Yll Limani, Kida, Ledri, Elvana Gjata, e shumë emra të tjerë.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se rruga drejt parkut të Gërmisë do të jetë e mbyllur për automjetet nga mesnata e 4 gushtit deri mëngjesin e 8 gushtit.

“Sunny Hill Festival” do të mbahet edhe në Tiranë nga fundi i muajit gusht, përkatësisht në 26, 27 dhe 28 gusht.

Vendimi i datës 14 qershor për organizimin e festivalit  vetëm në Tiranë do të kthehej në kryefjalë debati në Kosovë e Shqipëri.

Dukagjin Lipa, themelues dhe organizator i këtij festivali dhe babai i yllit botëror, Dua Lipa do të shprehej se arsyeja e mosmbajtjes së festivalit në Prishtinë është “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”.

Por pas debateve të shumta, u njoftua se festivali do të mbahej në kryeqytetin e Kosovës, “në shtëpinë e vet”, siç e quajnë organizatorët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë