Muzike

Dua Lipa elektrizon Prishtinën në natën e parë të ‘Sunny Hill Festival’

Nga Gazeta Si - Mbrëmjen e 4 gushtit u mbajt nata e parë e festivalit “Sunny Hill” në Parkun e Gërmisë në Prishtinë.  Mijëra adhurues të muzikës u mblodhën në Parkun Nacional të Gërmisë për të shijuar performancën e Dua Lipës dhe artistëve të ndryshëm.

Dua Lipa ishte ajo që elektrizoi skenën më së shumti në “Sunny Hill Festival”.

Nga koreografia, ndriçimi e deri tek çdo detaj tjetër, interpretimi i këngëve të albumit të fundit, ka krijuar një atmosferë të mahnitshme. Nga kënga në këngë, Dua Lipa rrëmbeu zemrën e gjithsecilit. 

Këngën “Future nostalgia”, Dua Lipa e solli në një mënyrë tejet joshëse e po aq edhe brilante. E gjithë prezenca e saj skenike depërtoi dukshëm tek audienca në festivalin ”Sunny Hill”.  E shoqëruar edhe nga punbliku, “New Rules” ishte një prej këngëve që ndezi më së shumti atmosferën.

Para hapjes zyrtare të festivalit, në një konferencë për media, Dua Lipa tha se nuk ka ndjenjë më të mirë se sa të performojë në Prishtinë.

“Po më vjen shumë mirë që jam në shtëpinë time, në vendin tim dhe të kem mundësi të bëj diçka të tillë”, tha Dua Lipa.

Në skenën gjigante ishin dhe dy këngëtarët shqiptarë, Yll Limani e Elvana Gjata që performuan hitet e tyre.

Kida ishte një tjetër artiste që sharmin e saj e ka sjell në “Sunny Hill Festival”.

Ndërkohë, grupi kosovar “SYTË” ndezin skenën e festivalit “Sunny Hill” me këngën më të re “Ëhere did the love go”.

Me moton “Set me free” (Më lër të lirë), edicioni i sivjetëm bën thirrje për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Përderisa BE-ja vendos kufij rreth lirisë sonë, ne do ta mbajmë të gjallë dhe të lirë imagjinatën tonë”, tha “Sunny Hill” në një njoftim në Facebook.

Festivali Sunny Hill, që nisi të enjten, do të zgjasë deri më 7 gusht dhe këtë vit, sipas organizatorëve do të ndiqet nga mbi 25.000 persona çdo ditë.

Çmimet e biletave për këtë festival variojnë nga 70 deri në 350 euro.

Para vendosjes për mbajtjen e festivalit në Parkun e Gërmisë pati debate lidhur me lokacionin e festivalit.

“Sunny Hill Festival” është një ndër festivalet më të famshme në Shqipëri dhe Kosovë, e cila moderohet dhe sponsorizohet nga këngëtarja Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa. Festivali nuk do të mbahet vetëm në Kosovë, por këtë vit do të mbahet edhe në Tiranë.

Edicioni i parë i Festivalit Sunny Hill është mbajtur më 2018. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, edicioni i vitit 2020 u anulua.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë