Futboll

Sulmuesit kuqezi e nisin vitin me gola, Cikalleshi bëhet çështje në Turqi

Gazeta Si – Pas Myrto Uzunit, i cili e nisi 2024-ën me gol në kampionatin spanjoll, ky vit ka nisur mirë edhe për dy sulmues të tjerë kuqezinj, Armando Brojën dhe Rei Manajn. Ky i fundit në fakt nuk ka qenë pjesë e Kombëtares kohët e fundit, por me formën që po kalon duket shumë pranë rikthimit.

Broja realizoi një gol të bukur me kokë në FA Cup ndaj Prestonit. Sulmuesi i Çelsit goditi edhe traversën dhe krijoi një tjetër rast ideal për gol në atë ndeshje, që e nisi si titullar.

Manaj bëri edhe më mirë, duke shënuar dy gola në fitoren 1-3 të Sivasporit në kampionatin turk. Sulmuesi shqiptar shënoi me penallti dhe pastaj në një kundërsulm të skuadrës së tij, të dyja herët në kohën shtesë të ndeshjes.

Në Turqi ka një çështje Cikalleshi ndërkohë. Sulmuesi i Kombëtares ka mbetur jashtë skuadrës së Koniasporit dhe shkak për këtë janë bërë pagat e prapambetura që lojtari kavajas ka kërkuar nga klubi.
Një qëndrim që nuk është pritur mirë nga drejtuesit e skuadrës dhe ata, sipas shtypit, kanë vendosur ta lënë jashtë. Përveç Cikalleshit, të njëjtin fat ka pasur edhe portieri i Koniasporit.

Cikalleshi dhe Bernardoni nuk u grumbulluan nga skuadra e tyre për ndeshjen me Gallatasarajin si formë ndëshkimi për pretendimet e tyre. Probleme të karakterit financiar sulmuesi kuqezi ka pasur edhe më parë me klubin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë