Lajme

Sulmoi median me fjalor banal, shkarkohet nga detyra burri i zv/ ministres

Shkarkohet nga detyra drejtori i Shërbimit Parësor Spitalor, Aurel Voda, bashkëshorti i zv/ministres së Brendshme, Rovena Voda.
Mësohet se ka qenë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu që ka firmosur shkarkimin e tij.
Vendimi erdhi pas sulmit të Vodës ndaj mediave me një fjalor aspak të hijshëm në faqen e tij në facebook.
“I patolerueshëm sulmi i Aurel Vodës në profilin e tij në ‘Facebook’ ndaj disa mediave. Largimi i Vodës është një mesazh për të gjithë. Kush nuk duron me qytetari sulmet të çfarëdo lloji nuk mund të jetë pjesë e sistemit tonë”, tha Manastirliu.

https://twitter.com/GManastirliu/status/1186898070388248576

Doktori Aurel Voda nuk është përmbajtur aspak me fjalorin e tij, ku ka komentuar në një faqe online, ku kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi shprehej se nëse nuk hapen negociatat, PD-ja do të niste protestat. Po ashtu ka shpërthyer në sharje ndaj gazetarëve me një fjalor krejtësisht banal.

Reagon Aurel Voda

Pas shkarkimit nga detyra, doktori Aurel Voda ka kërkuar falje publike për fjalorin e përdorur.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, thekson se në punën që ka kryer në FSDKSH ka menaxhuar më së miri taksat e qytetarëve shqiptarë.
“Ju kërkoj falje publike të gjithë qytetarëve, që me të drejtë janë prekur nga fjalët e mia jashtë etikës qytetare.
Me këtë rast dua t’i sqaroj se kam në FSDKSH që nga tetori i 2013 dhe sot mbusha plot 6 vjet. Kam qenë mbrojtësi më i mirë i parave të taksapaguesve shqiptarë”, shkruan Voda.
Voda tregon se ka qenë i spikatur në ushtrimin e detyrës teksa sqaron se nuk është penalizuar asnjëherë nga Auditi i Brendshëm dhe as nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
“Me gjithë tallazet që ka kaluar ky institucion unë nuk jam penalizuar asnjëherë as nga Auditi i Brendshëm, as nga KLSH.
Kam në pronësi 1/4 e një pallati 80 m2 në Durrës, por jam i lumtur se kam një familje të shkëlqyer prej 7 anëtarësh, dy prindërit, tri fëmijët dhe unë e bashkëshortja. Iu kërkoj falje edhe atyre. Gjithsesi treni nuk mund të ndalojë për asnjë person, kushdo qoftë ai”, përfundon ai.

https://www.facebook.com/voda.aurel/posts/2452449998312339



Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë