Politike

Sulmohet me bojë në fytyrë deputeti i ri i LSI-së, Ralf Gjoni

Është sulmuar me bojë te dera e shtëpisë deputeti i ri i LSI, Ralf Gjoni.
Atij i është hedhur bojë e kuqe, ndërsa ishte duke dalë nga shtëpia për të shkuar në seancën plenare për betimin në Kuvend.
Mësohet se një djalë i ri e ka pritur te dera e banesës dhe i ka hedhur bojë me shiringë drejt fytyrës dhe trupit të Gjonit.

Ralf Gjoni do të merrte sot mandatin e deputetit për Qarkun e Tiranës, duke zëvendësuar ish-deputeten Klajda Gjoshën.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë dje mandatin e deputetit Ralf Gjonit, së bashku me dy kandidatët e tjerë Enada Koçiraj dhe Nimet Musaj nga radhët e LSI.

Ndërkohë, para se të hyjë në Kuvend, në një prononcim të shkurtër për mediat, Gjoni u shpreh se sulmi dukej qartë që ishte i porositur nga lart dhe shtoi se ky veprim nuk e bën atë që të tërhiqet.
“Ishte e papritur. Ai dhe ajo që e kanë porositur duhet të dinë që kjo është një sjellje rrugaçërie. Nuk më frikësojnë ata që duan destabilizimin e vendit. Unë kam ardhur këtu për t’u betuar për të përfaqësuar të gjithë shqiptarët. Nuk jam në Parlament për t’i bërë fresk qeverisë”, tha ndër të tjera Ralf Gjoni.

Por, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi tha se sulmin ndaj Ralf Gjonit e ka organizuar kryeministri Edi Rama. “Nuk kam dijeni për një gjë të tillë. Regjisori është Edi Rama për të larguar vëmendjen nga çdo gjë. Do t’i bëjë edhe kloun deputetet e rinj me idenë që është sulmuar. Më vjen shumë keq për rastin. Legjitimiteti i atij parlamenti nuk është më. Megjithatë, problemi nuk qëndron vetëm këtu, por kjo shitblerje e votës ka varfëruar shqiptarët”, tha kryetarja e LSI, Monika  Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë