Lajme

Sulmi ndaj Lalës, Policia dhe Prokuroria: Hetim me metoda speciale

Një ditë pas sulmit me armë në banesën e prindërve të gazetares Klodiana Lala, Policia e Shtetit dhe Prokuroria përmes një deklarate të përbashkët për mediat njoftojnë se është ngritur një grup i posaçëm që po heton me metoda speciale për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

“Në datë 30 gusht 2018, rreth orës 06.40 minuta, Policia e Tiranës u njoftua se në rrugën “Shkëndija”, fshati Bruk, Tiranë persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Arif Lala.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit. Për pasojë është dëmtuar fasada ballore dhe dera hyrëse e banesës. Në momentin e sulmit, në banesë ishin prindërit e gazetares, vëllai, dy fëmijët e gazetares dhe dy miq të afërm të familjes. Personat brenda banesës nuk kanë pësuar dëmtime.

Në lidhje me këtë ngjarje, menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor me ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhet në deklaratën e Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës.

Ditën e sotme, Prokuroria e Tiranës ka marrë edhe dëshminë e vetë gazetares Klodiana Lala në kuadër të hetimeve për zbardhjen e ngjarjes. 

Gazetarja Lala gjatë deklaratës së saj i ka mëshuar fort faktit se kjo ngjarje e rëndë ka ardhur si pasojë e punës së saj si gazetare kronike, pasi familjarët e saj nuk kanë ndonjë konflikt.

Policia deri më tani nuk ka identifikuar asnjë si autor të dyshuar të kësaj ngjarjeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë