Politike

Sulmet kibernetike, Rama nga SHBA-të: Ambasada e Iranit në Tiranë, si një qendër operative

Gazeta Si - Kryeministri Edi Rama ka akuzuar edhe një herë Iranin për sulmet kibernetike ndaj portaleve qeveritare shqiptare dhe sistemeve të sigurisë së policisë.

Në SHBA, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, Rama, për emisionin “Wake up America” tha se ambasada iraniane në Tiranë ishte kthyer në një qendër operative sulmesh ndaj Shqipërisë.

Së bashku me të ka qenë i ftuar edhe Richard Grenell, ish-i dërguari special amerikan për Kosovën në kohën e presidentit Donald Trump.  

Duke konfirmuar së bëhet fjalë për një fakt, shefi i qeverisë shqiptare tha se pas sulmeve kibernetike qëndron një prej grupeve terroriste nga Teherani.

“Dua të bëj shumë të qartë se nuk e kam akuzuar Iranin. Kemi prova të qarta, ku është provuar se pas këtij sulmi është Irani, shteti, Republika Islamike e Iranit. Një prej të cilave është një prej grupeve terroriste kibernetike, - u shpreh kryeministri. - Kështu që nuk është akuzë, është fakt. Nga ana tjetër kuptuam që ishte koha për të ndërprerë çdo marrëdhënie me këtë regjim”.

Rama theksoi se pavarësisht nga muri mbrojtës i sigurisë, Shqipëria mund të jetë sërish qendër e sulmeve kibernetike.

“Nuk mund të lejonim ambasadat e tyre të ishin në mes të kryeqytetit tonë si qendër operative sulmesh. Ne duam të ngremë një aleancë për mbështetje. Ajo që kemi nevojë është për të ndërtuar mbrojtje kibernetike. Edhe pas 15 korrikut, ne kemi pasur sulme të tjera dhe presim akoma më shumë sulme. Është shumë shqetësuese”.

I pyetur për mendimin e tij mbi politikën e Uashingtonit që vijon marrëdhëniet me Iranin, Rama shtoi se “ne jemi aleat i fortë i SHBA, e dimë rolin tonë dhe nuk na takon neve të merremi me vendime të mëdha, por kemi jetuar në një regjim të ngjashëm, që nuk ishte religjioz por ateist, dhe nga eksperienca mund të them se të merresh me këto regjime nuk me duket vizion largpamës”.

Rama u pyet edhe për pasojat në Shqipëri pas fillimit të luftës në Ukrainë, dhe marrëdhëniet me Rusinë.   

“Shqipëria ka një histori të veçantë. Kemi qenë Koreja e veriut e Europës, nuk kishim lidhje me Kremlinin në 30 vjet demokraci nuk kemi patur lidhje të ngushta me Kremlinit, kurrë një president rus nuk ka ardhur në Shqipëri, dhe nuk më mungon kjo gjë. Ne si vend nuk varemi shumë nga gazi, nuk është e vështirë të mbash një qëndrim të fortë kur vetëm 1%  e popullsisë mbështet Putin dhe të gjithë mbështesim Ukrainën”, ishin fjalët e kryeministrit.

Pak ditë më parë, hakerat sulmuan dhe bllokuan sistemin TIMS, ndërsa në korrik arritën të bllokonin për disa ditë punën e sistemin online të të dhënave të shqiptarëve, e-Albania.

Për ngjarjen, qeveria shqiptare, akuzoi drejtpërdrejt Iranin dhe ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike. Shtetet e Bashkuara sanksionuan publikisht disa zyrtarë iranianë për rolin e tyre në këto sulme.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Nju Jork, në krye të një delegacioni së bashku me Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Ata do të marrin pjesë në javën e nivelit të lartë të Sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë