Bota

Sulmet në metro dhe aeroportin e Brukselit, terroristët dënohen me 20 dhe 30 vjet burg

Gazeta Si - Gjykata Speciale e Brukselit ka dënuar Salah Abdeslam dhe Mohamed Abrini me përkatësisht 20 dhe 30 vjet burg, të shpallur fajtorë për sulmet terroriste të 22 marsit 2016 në kryeqytetin belg.

Dënimi u komunikua nga kryetari i Gjykatës së Assizes, Laurence Massart. Për gjashtë të pandehurit e tjerë të shpallur fajtorë në korrik, katër për vrasje në një kontekst terrorist dhe dy për pjesëmarrje terroriste, dënimet janë: burgim i përjetshëm për Oussama Atar në mungesë (sepse ai ka vdekur), Osama Krayem dhe Bilal El Makhoukhi; 20 vjet për Sofien Ayari dhe Ali El Haddad Asufi; 10 vjet për Hervé Bayingana-Muhirëa.

Më 22 mars 2016, dy terroristë hodhën veten në erë në sallën e nisjeve të aeroportit Zaventem të Brukselit dhe një terrorist i tretë, një orë më vonë, në një tren metroje në stacionin Maelbeek.

32 persona humbën jetën dhe mbi 300 u plagosën.Tre vdekjet e mëpasshme, të konsideruara si të lidhura me shpërthimet, e çuan numrin përfundimtar në 35, të cilëve u duhet shtuar edhe tre terroristët vetëvrasës.

Salah Abdeslam e ka mohuar gjithmonë përfshirjen e tij, duke pretenduar se ditën e ngjarjeve ai ishte në burg, pasi ishte arrestuar më 18 mars 2016 në Molenbeek.

Megjithatë, 34-vjeçari u konsiderua i përfshirë në sulme, sepse ai shoqërohej me anëtarët e celulës në Bruksel pas sulmeve në Paris dhe ofroi "ndihmë të domosdoshme" për sulmet vetëvrasëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë