Bota

Sulm ukrainas me dronë kundër bazave detare ruse në Detin e Zi dhe Krime

Gazeta Si - Ushtria ruse ka thënë se ka zmbrapsur sulmet me dronë në bazën më të madhe detare në Detin e Zi dhe në Gadishullin ukrainas të Krimesë, të aneksuar ilegalisht nga Moska.

Megjithatë, si pasojë e sulmeve, autoritetet kanë thënë se është ndaluar përkohësisht qarkullimi në një prej porteve më të mëdha komerciale të Rusisë.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë më 4 gusht se dy dronët detarë e kanë sulmuar gjatë natës bazën Novorosisk në Detin e Zi.

“Anijet janë identifikuar dhe janë shkatërruar nga anijet ruse që e kanë ruajtur bazën”, ka thënë ministria ruse përmes një deklarate.

Agjencia ruse e lajmeve RIA, e ka cituar guvernatorin e rajonit Krasnodar, Veniamin Kondratyev të ketë thënë se nuk ka raportime për viktima dhe dëme nga sulmi në Novorosisk.

Mininistria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar t’i ketë rrëzuar edhe 13 dronë në Gadishullin e Krimesë, dhe nuk ka raportuar për viktima.

Sulmet në dhe rreth Detit të Zi janë rritur prej kur Rusia ka refuzuar të vazhdojë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, që i ka mundësuar Ukrainës ta transportojë grurin përmes detit.

Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se në lindje të shtetit janë duke u zhvilluar luftime “shumë mizore”.

“Pushtuesit janë duke tentuar t’i ndalojnë djemtë tanë në çdo mënyrë, Sulmet janë shumë mizore”, ka thënë Zelensky, duke shtuar se është “vështirë gjithandej”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë