Bota

Sulm rus me dronë dhe raketa në portin e Odesës. Goditet rrjeti i spiunëve në Kharkiv

Gazeta Si - Rusia ka kryer një sulm të ri ndaj Ukrainës në rajonin e Odesës me 19 dronë dhe 14 raketa, duke shkaktuar dëme në një infrastrukturë portuale.

Një grua ka mbetur e plagosur sipas guvernatorit lokal, Oleg Kiper në një postim në Telegram.

Kiper ka nënvizuar se është goditur edhe një kapanon me rreth një mijë tonë drithë.

"Terroristët rusë sulmuan rajonin e Odesës me dronë dhe dy lloje të ndryshme raketash, - njoftoi përmes Telegram guvernatori Oleg Kiper. - Një civil u plagos".

Sipas guvernatorit është goditur një pjesë e infrastrukturës portuale dhe një godinë “jo rezidenciale” ku ka rënë zjarr.

Sipas ushtrisë ukrainase, sulmi është kryer me 19 dronë të tipit “Shahed” të prodhimit iranian, dy raketa supersonike “Onyx” dhe 12 raketa të llojit “Kalibr”.

Të gjithë dronët dhe 11 “Kalibr”-at, u qëlluan nga mbrojtja ajrore, por dëme të konsiderueshme u shkaktuan në vendpushimin bregdetar të Odesës, me një zjarr që shpërtheu në një strukturë hoteli, i cili u shua shpejt.

Ndërkohë, Forcat e Sigurisë së Ukrainës (SBU), kanë shkatërruar një rrjet spiunazhi që vepron në zonën e Kharkivit, duke mbledhur informacione konfidenciale për ushtarët e forcave të armatosura të Kievit.

Lajmi u raportua nga RBC Ukraine, duke cituar një raport nga vetë SBU.

Spiunët mblodhën informacion mbi vendndodhjen e zonave të fortifikuara dhe rrugët e lëvizjes së autokolonave të pajisjeve ushtarake të Kievit.

Inteligjenca ruse i kushtoi vëmendjen maksimale zyrtarëve aktualë të komisioneve ushtarake lokale dhe komisioneve mjekësore ushtarake.

Agjentët rusë monitoruan gjithashtu pasojat e sulmeve ajrore në Kharkiv, më pas shkuan në vendet e sulmeve për t'i regjistruar ato dhe për t'i dërguar një raport pushtuesve. Katër anëtarët e rrjetit të dyshuar të inteligjencës ruse janë arrestuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë