Politike

Suedia drejt NATO-s, Ambasadorja në Tiranë: Ja sfidat e sigurisë që na presin

Suedia dorëzoi të hënën aplikimin për t’u anëtarësuar në NATO, një proces që vazhdon tashmë me lobimin në vendet anëtare të Aleancës se përse duhet ta mbështesin këtë anëtarësim.

Në kuadër të këtij procesi, në Tiranë doli në një konferencë për shtyp, Ambasadorja suedeze, Elsa Hastad. Fillimisht, Ambasadorja renditi arsyet e heqjes dorë nga neutraliteti ushtarak prej Suedisë.

“Bjerrja e sigurisë në Europë vitet e fundit na nxit që të aplikojmë për anëtarësim në NATO, për të siguruar një nivel më të lartë sigurie për Suedinë, por edhe për të dhënë kontributin tonë në sigurinë globale”, tha Ambasadorja.

Me nisjen e aplikimit, Halstad u shpreh se vendi i saj është i përgatitur për t’u vetëmbrojtur. Por, Ambasadorja mohoi mundësinë e një agresioni ushtarak rus në Suedi të ngjashëm me atë në Ukrainë.

“Ne presim më shumë sulme kibernetike, propagandë dhe lajme të rreme që do të synojnë destabilizimin e vendit tonë. Por, jemi të përgatitur”, u shpreh ajo.

Një ditë më parë, Halstad u takua me Kryeministrin Edi Rama. Shqipëria nuk do të jetë pengesë për anëtarrësimin e Suedisë, por në dy ditët e fundit Turqia ka sinjalizuar përdorimin e vetos kundër.

“Turqia ka ngritur disa shqetësime në dy ditët e fundit. Ne po punojmë me ambasadorët tanë dhe me kryeministrin për të gjetur një zgjidhje në këtë drejtim”, deklaroi Halstad.

Suedia parashikon që brenda një viti të jetë anëtare e NATO-s. Ndërkohë, pas kërcënimeve me luftë e masa ndëshkimore, Rusia ka zbutur retorikën ndaj Suedisë dhe Finlandës. “Nuk bën asnjë diferencë anëtarësimi i Suedisë dhe i Finlandës”, tha të martën ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë