Treg

Suedia arrin objektivin e energjisë së rinovueshme 12 vjet para afatit

Suedia dhe Norvegjia nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e energjisë në vitin 2012. Sipas marrëveshjes, dy vendet zotoheshin që brenda vitit 2020 të prodhonin 28.4 terrawatt për orë energji të rinovueshme.

Norvegjia i qëndroi marrëveshjes, ndërsa Suedia e rriti objektivin e vet duke i shtuar edhe 18 terrawatt për orë, por duke zgjatur afatin për në vitin 2030.

Aktualisht jemi dy vite larg 2020 dhe plot 12 vite larg 2030 dhe objektivi është thuajse i plotësuar. Agjencia Suedeze e Energjisë publikoi të dhënat e gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Duke analizuar prodhimin e turbinave të erës në funksion dhe të turbinave të tjera që janë në proces instalimi, Suedia pritet që ta tejkalojë objektivin e 18 terrawatt-ëve për orë.

Në fund të këtij viti do të instalohen 3681 turbina të reja, me një kapacitet prej 7500 MW, pra me një prodhim vjetor total për 19.8 TW për orë.

“Në fillim projekti dukej shumë ambicioz, por tani pasi objektivi i parë u arrit dhe u arrit thuajse një dekadë para afatit, e për më tepër që në të ardhmen do të instalohen të tjera turbina me erë, energjia në Suedia shumë shpejt do të jetë plotësisht e rinovueshme”, deklaron Markus Selin, analist i Agjencisë Suedeze të Energjisë.

Suedia synon që para vitit 2040 të ketë krejtësisht energji të rinovueshme dhe në 2045, të emëtojë zero gazra të dëmshëm në atmosferë.

Më 22 prill të 2016 u nënshkrua marrëveshja për klimën. Nëse me ardhjen në pushtet të Donald Trump SHBA e ka vendosur në pikëpyetje zbatimin e kësaj marrëveshjeje, vendet e Bashkimit Europian e kanë marrë shumë seriozisht.

Sipas kësaj marrëveshje, vendet e unionit zotohen që brenda 2020 të prodhojnë minimumi 20 për qind të energjisë që u nevojitet nga burime të rinovueshme. Pjesa më e madhe e vendeve janë në rrugë të mbarë për ta realizuar këtë objektiv, ndërkohë që pararojë mbetet Suedia, Norvegjia dhe Gjermania.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë