Art dhe Kulture

Suedi, krijohet Nobeli alternativ për Letërsinë

Akademia Suedeze ka njoftuar se nuk do të japë një Çmim Nobel në Letërsi për 2018-ën. Në vend të tij, një Çmim alternativ Nobel për Letërsinë do të akordohet nga një organizatë jofitimprurëse e  sapothemeluar, e e quajtur  “Akademia e Re” (Den nya akademien).

Akademia e Re u ka kërkuar librarëve suedezë të kandidojnë dy autorë syresh për çmimin. Fituesi i këtij Nobeli alternativ do të shpallet në Tetor në të njëjtën kohë si Çmimet e tjerë Nobel dhe do dorëzohet më 10 Dhjetor, ditën e ceremonisë së Çmimit Nobel në Stokholm. Më 11 dhjetor, Akademia e Re ka ndërmend të shpërbëhet.  

Ideja për një Akademi të Re erdhi nga shkrimtarja suedeze Alexandra Pascalidou pas lajmërimit të Akademisë Suedeze se nuk do të akordojë një çmim në letërsi më 2018-ën, por do të akordojë dy të tillë më 2019-ën. Arsyeja e shtyrjes ishte tronditja e ndodhur Brenda Akademisë Suedeze pas skandalit të një burri të lidhur ngushtë me Akademinë, i cili tani po përballet me akuzat për sulme seksuale që kanë ndodhur në apartamentin e Akademisë Suedeze në Paris.

Zëdhënësja e  Akademisë së Re, komediania  dhe aktorja Bianca Kronlöf.

Qysh prej ngjizjes së saj, Akademia e Re ka mbledhur një anëtarësi prej më shumë se 100 poetësh, shkrimtarësh dhe artistësh suedezë. Sipas zëdhënëses së Akademisë së Re, komedianes dhe aktores Bianca Kronlöf, Nobeli alternativ është “një kundërforcë pozitive ndaj gjithçkaje të trishtuar dhe të menderosur” që ka ndodhur brenda qarqeve artistike suedeze qyshse lëvizja #metoo mbërriti në Suedi,  në vjeshtën e vitit 2017.

Thirrja për kandidatët e Nobelit Alternativ në Letërsi mbyllet më 8 korrik. Pas kësaj date, emrat do të shpallen ndërkombëtarisht dhe njerëzit do të ftohen nga e gjithë bota për të votuar për fituesin e çmimit. Katër autorëve me më shumë vota do u lexohen veprat nga një juri e përbërë prej gazetarëve, kritikëve letrarë, autorëve dhe librarëve më të njohur suedezë. Fituesi shpallet në tetor. Akademia e Re nuk ka asnjë lidhje me Akademinë Suedeze.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë