Artistë të pavarur në vende të ndryshme po largohen nga Facebook dhe Instagram, mes shqetësimeve se veprat, imazhet dhe krijimet e tyre mund të përdoren pa leje për trajnimin e inteligjencës artificiale (AI).
Sipas një raportimi të CNN, ndryshimet e propozuara nga Meta në kushtet e përdorimit kanë shtuar shqetësimet e krijuesve, të cilët druhen se puna e tyre mund të kopjohet dhe të shfrytëzohet komercialisht nga profile të krijuara me AI.
Një prej tyre është Matty Burnham, artist akuareli nga Britania e Madhe, i cili në vitin 2024 zbuloi një llogari në Pinterest që imitonte ilustrimet e tij. Sipas tij, krijimet e kopjuara ishin shndërruar në versione të gjeneruara nga AI dhe reklamoheshin përmes profileve të rreme në Shopify, Facebook dhe Instagram.
Edhe artistë të tjerë kanë denoncuar raste të ngjashme, ku krijimet e tyre përdoren për të prodhuar përmbajtje që paraqitet si punë origjinale e autorëve të tjerë.
Artistët po braktisin platformat e Metës
Shqetësimet janë shtuar pas propozimeve të Metës për ndryshimin e kushteve të përdorimit, të cilat, sipas kritikëve, mund të lejojnë mbledhjen automatike të të dhënave nga faqet e jashtme dhe përdorimin e përmbajtjeve për zhvillimin e modeleve të AI.
Meta njoftoi më 5 nëntor shtyrjen pa afat të ndryshimeve, duke deklaruar se dëshiron të konsultohet më tej me palët e interesuara. Megjithatë, disa krijues kanë vendosur tashmë të largohen nga platformat.
Samantha Waldron, bashkëpronare e një studioje fotografike në SHBA, ka fshirë llogaritë personale dhe të biznesit në Facebook, ndërsa ka kufizuar ndjeshëm përmbajtjen dhe lidhjet në Instagram.
Edhe artistë të tjerë po zgjedhin të kalojnë në platforma si Patreon dhe Substack, ose të ndërpresin përkohësisht publikimin e përmbajtjeve.
Frika nga kopjimi dhe humbja e të ardhurave
Për artistët, shqetësimi nuk lidhet vetëm me të drejtat e autorit, por edhe me humbjen e klientëve dhe të ardhurave. Përmbajtja e gjeneruar nga IA mund të prodhohet shumë më shpejt dhe në sasi të mëdha, duke konkurruar drejtpërdrejt me punën e krijuesve njerëzorë.
Tim O’Brien, përfaqësues i Shoqatës së Ilustruesve, thekson se artistët meritojnë pëlqim të qartë, kompensim të drejtë dhe mekanizma të thjeshtë për të kundërshtuar përdorimin e paautorizuar të veprave të tyre.
Nga ana tjetër, Meta u ofron krijuesve mundësinë të raportojnë rastet e imitimit dhe të kërkojnë heqjen e përmbajtjeve përmes qendrës së saj për mbrojtjen e pronësisë intelektuale.
Ndërkohë, Google ka publikuar mjetin falas SynthID Detector, i cili ndihmon në identifikimin e imazheve, videove dhe audios të krijuara me AI nga Google dhe partnerët e tij.
Megjithatë, shumë artistë mendojnë se këto masa nuk janë të mjaftueshme. Ata kërkojnë mbrojtje më të fortë të të drejtave të autorit dhe garanci që krijimet e tyre të mos përdoren pa dijeninë dhe miratimin e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje