Politike

Suedezi Danielsson, përpjekja e radhës e BE për të zgjidhur krizën

Christian Danielsson është emri i përzgjedhur zyrtarisht nga Bashkimi Europian si negociator në misionin për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri. Me shtetësi suedeze, ai mban postin e Drejtorit të Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Europian.

62-vjeçari mbërrin në Tiranë, ku pas një pushimi të shkurtër e pret një e enjte goxha e ngarkuar. Danielsson, një diplomat karriere në institucionet e Bashkimit Europian është një njohës i mirë i rajonit. Për vite me radhë ai ka drejtuar negociatat e vështira të anëtarësimit me Turqinë, ndërsa në vendin tonë është ndalur gjatë vizitave mbikëqyrëse të misioneve PAMECA, që synojnë forcimin e ligjit e që financohen nga Bashkimi Europian.

Ardhja e tij është përpjekja e radhës e Bashkimit Europian për të qetësuar tensionet politike në vendin tonë. Pas dështimit të thirrjeve të delegacionit të BE-së në Tiranë, shtatë eurodeputetë mbërritën në vendin tonë nga Brukseli. Ata u takuan me Ramën, Ruçin, Bashën dhe Kryemadhin.

Takimi zhvillohej pasi opozita kishte hequr dorë në grup nga mandatet e saj në Parlament. Përpjekja e deputetëve për ta kthyer mbrapsht këtë vendim të PD-LSI dhe aleatëve të tyre dështoi dhe delegacioni u rikthyer andej nga kishte ardhur pa e fshehur zhgënjimin.

Zgjidhja jo vetëm që nuk u gjet në Tiranë, por duket se politika shqiptare ja doli mbanë që të eksportojë krizën e saj në Bruksel. Doris Pack, drejtuese e Forumit të Gruas të Partive Popullore Europiane dhe ish-deputete e PE-së shpërtheu ndaj patriotit të saj, Knut Fleckenstein.

“Knut Fleckenstein, të gjykosh opozitën në Shqipëri që po kërkon ndihmën e BE-së, për sjellje jodemokratike është hipokrizi. Asnjëherë në vitet e fundit nuk ke kritikuar miqtë e tu socialistë për qeverisjen kriminale dhe të korruptuar. Shqiptarët po humbasin shpresën e po braktisin vendin e tyre. Më vjen turp nga ty!”, shkruan ajo.

https://twitter.com/pack_doris/status/1102598599987417089

Ish-eurodeputetja e afërt me Partinë Demokratike s’e la me kaq. Në një postim të dytë ajo kërkoi nga Parlamenti Europian që të marrë masa dhe t’i tërheqë vërejtje Knut Fleckenstein për thirrjet e tij ndaj kandidatëve në listën e PD-së që të marrin mandatet e lëna bosh.

“Ky është akt i papranueshën në mbështetje të qeverisë socialiste”, thotë ajo.

Megjithatë, në Parlamentin Europian, të paktën për momentin mendojnë ndryshe nga Doris Pack.

Monica Macovei, kryetarja e Komisionit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri në Parlamentin Europian akuzon opozitën se me aksionin e saj po minon reformat e ndërmarra në vend.

Eurodeputetja, Monica Macovei

“Veprimet më të fundit të opozitës rrezikojnë të rrënojnë ritmin e reformave të tilla dhe po dërgojnë mesazhin e gabuar te partnerët europianë. Episodet e dhunshme në të cilat opozita ka sulmuar institucionet publike, si dhe gjuha që nxit dhunën e përdorur nga udhëheqësit e opozitës janë të papranueshme për çdo demokraci europiane”, deklaroi Macovei.

Vetë Lulzim Basha i ka qëndruar parimit për të mos komentuar deklaratat e ndërkombëtarëve, por Gent Strazimiri iu përgjigj përmes rrjeteve sociale eurodeputetes, ku me ironi e akuzon atë për lidhje të fortë me socialistët.

https://www.facebook.com/gent.strazimiri.3/posts/2215702195154197

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë