Rend dhe Ligj

KLP i kërkon Arta Markut: Hetoni prokurorin Arjan Ndoja

Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka kërkuar kryeprokurores Arta Marku nisjen e një hetimi për masa disiplinore ndaj prokurorit Arjan Ndoja, i plagosur në atentatin e 1 nëntorit në Durrës.

Shkak i kërkesës është bërë deklarata mediatike e prokurorit, që ndodhet ende në Spitalin e Durrësit ku po merr mjekim, se drejton prej kohësh një studio që ofron konsulencë ligjore dhe shoqërimi me shtetasin Aleksandër Laho. KLP thotë se është njohur vetëm nga kjo deklaratë mediatike me faktin që prokurori në fjalë ka një studio ligjore, që ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk ja lejon.

“Nisur nga të dhëna paraprake bëhet me dije fakti që prokurori drejton prej kohësh një studio ligjore, ku ofron konsulencë ligjore për cështje të ndryshme. Ky fakt nëse do të rezultonte i vërtetë, do të përbënte shkelje disiplinore të parashikuara në nenin 103 pika a dhe ç, të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, thotë KLP në kërkesën e drejtuar për Arta Markun.

KLP shton se ligjet në fuqi ngarkojnë Prokurorin e Përgjithshëm me detyrën që të hetojë të gjitha pretendimet për shkeljet disiplinore në radhët e prokurorëve dhe në kërkesë mendon se Arjan Ndoja ka kryer një shkelje të tillë.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë kërkon nga ana Juaj nisjen e një hetimi disiplinor ndaj prokurorit Arjan Ndoji, duke gjykuar nëse janë konsumuar apo jo prej tij shkeljet disiplinore të parashikuara nenin 103 pika a dhe ç, të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, mbyllet letra e firmosur nga kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi.

Pika a) e nenit 103 të këtij ligji ka të bëjë me ushtrimin e veprimtarive, edhe të ligjshme, por që janë të papajtueshme me detyrën e prokurorit. Njëra prej këtyre detyrave është edhe konsulenca ligjore. Ndërkohë, pika ç) ka të bëjë me shoqëromin me persona me precedentë penalë, nisur nga fakti që në të njëjtin automjet me prokurorin Ndoja ishte edhe Aleksandër Laho, person me precedentë penalë në të shkuarën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë