Jete & Stil

Studimi: Kujdes me manikyrin xhel, dëmton ADN-në

Manikyrët me xhel janë bërë pjesë e rregullt e rutinës së shumë njerëzve por procesi për t'i bërë është i ndërlikuar dhe i dëmshëm.

Manikyri xhel ka nevojë për dritë ultravjollcë për t'u ngurtësuar, duke rritur shqetësimet për rrezikun e kancerit të lëkurës kur duart, kutikulat dhe thonjtë ekspozohen rregullisht ndaj rrezeve UV që mund të jenë më të fuqishme se dielli.

Dhe një studim i ri, i publikuar në Nature Communications, po i shton këto shqetësime sepse zbuloi se rrezatimi nga furrat e manikyrit mund të dëmtojë ADN-në dhe të shkaktojë mutacione në qelizat njerëzore.

Disa sallone përdorin llamba UV për thonjtë për të vendosur manikyrin ndërsa të tjerë përdorin llamba LED.

“Gratë mund të mendojnë se pajisjet LED e kalojnë ose minimizojnë dritën ultravjollcë, por ky është një gabim i madh”, thotë Chris Adigun, dermatolog.

“Xhelat janë masivisht të popullarizuar në nivel ndërkombëtar. Janë një burim i madh të ardhurash për sallonet e bukurisë”, tha ai.

Për të forcuar manikyrin xhel, njerëzit e vendosin dorën nën një llambë që lëshon rreze UVA për diku nga 30 sekonda deri në disa minuta, në varësi të llojit të pajisjes.

A mund të rrisin rrezikun e kancerit të lëkurës disa minuta nën një llambë që lëshon rreze?

"Teorikisht po, sepse ne e dimë se ekspozimi ndaj rrezeve UVA rrit rrezikun e kancerit të lëkurës dhe duhet të kesh ekspozim ndaj UVA për të vënë një manikyr me xhel", vuri në dukje Adigun, duke shtuar se ka një shqetësim të veçantë për faktin se shumë e ndërrojnë manikyrin xhel do dy javë.

Studimi i vitit 2023 në Nature Communications ofron arsye të reja për shqetësim. Studiuesit në Universitetin e Kalifornisë në San Diego përdorën tre linja të ndryshme qelizore, nga njerëzit dhe minjtë dhe i ekspozuan ato ndaj një furre thonjsh UV.

Pas ekspozimit ndaj rrezeve, u pa dëmtim i qelizave dhe i ADN-së.

Maria Zhivagui, autore e studimit, thotë se nuk i bën më thonjtë me manikyr xhel që kur zbuloi ndikimin që ka tek njerëzit.

“Fillova të përdor manikyr me xhel në mënyrë periodike për disa vite”, shpjegon ajo në një deklaratë. "Sapo pashë efektin e rrezatimit të lëshuar nga pajisja e tharjes së xhelit, që i ndryshon qelizat edhe pas vetëm një seance 20-minutëshe, u befasova. E pashë këtë si shumë alarmante dhe vendosa të ndaloj përdorimin e manikyrit xhel".

Një shqetësim tjetër është se nuk ka asnjë standard për sa kohë duhen mbajtur duart nën llambë. Pajisjet nuk janë të gjitha të standartizuara dhe çdo xhel i ndryshëm ka kohën e vet të rekomanduar për tu pjekur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë