Njerez

Studimi: Ja cilët janë shtetet më injorante në botë

Një studim i ri ka zbuluar se një numër i madh njerëzish, në disa prej shteteve më të zhvilluar të botës, janë të paditur në shumë çështje me rëndësi. Studimi “Rreziqet e Perceptimit” kryer nga Ipsos MORI për vitin 2017, ka mbledhur perceptimet e njëzetenëntëmijë e njëqindetridhjetetre njerëzve në të gjithë botën mbi çështje që shqetësojnë vendet e tyre dhe të tjerët. Subjektet përfshinin normat e vrasjeve dhe të vetëvrasjeve, vdekjeve si rezultat i terrorizmit, shtatzënitë mes adoleshenteve, të burgosurit me shtetësi të huaj dhe problemet me shëndetin si vaksinat dhe diabeti.   

Të tjera çështje të mbuluara në intervista përfshijnë besimin fetar, konsumin e sheqerit dhe të alkoolit, si edhe përqindjen e njerëzve që përdorin Facebook dhe telefonat inteligjentë. Rezultatet tregojnë se njerëzit, pothuajse në të 38 shtetet,  që morën pjesë në studim ishin të paditur rreth temave të lartpërmendura, por disa ishin edhe më keq se të tjerët. Në shumë subjekte, të dhënat faktike nuk janë aq keq sa duken në perceptimin e përgjithshëm.


Nga rezultatet e studimit vetëm 7 përqind e njerëzve mendojnë se norma e vrasjeve është më e ulët në vendin e tyre sa ishte në vitet 2000. E vërteta është se në disa shtete ka rënë ndjeshëm, ndërsa tabloja e përgjithshme flet për një rënie me përqind. Për shembull, 85 përqind e afrikano-jugorëve besojnë se vrasjet janë më të larta, kur në fakt kanë rënë. Dhe vetëm 8 përqind mendojnë se në Itali janë më të ulëta, kur kanë rënë me 39 përqind.
Vetëm 19 përqind mendojnë se vdekjet nga sulmet terroriste janë ulur në 15 vitet e fundit, kur thuajse në të gjithë këta shtete janë përgjysmuar. Njerëzit mbivlerësojnë ndjeshëm raportin e të burgosurve emigrantë në vendet e tyre: hamendësimi mesatar është 28 përqind, kur faktet flasin për 15 përqind. Për shembull, 60 përqind në Turqi mendojnë se vdekjet nga terrorizmi janë më ë larta në këta 15 vjet, kur është përgjysmuar në fakt, gjatë kësaj periudhe. Disa vende janë të saktë, megjithatë, me 65 përqind në Francë që besojnë se vdekjet nga sulmet terroriste janë më të larta.

Rezultatet tregojnë se njerëzit, pothuajse në të 38 shtetet, që morën pjesë në studim ishin të paditur rreth temave si vrasjet, shtatzënitë mes adoleshenteve dhe problemet me shëndetin. Por disa,  ishin edhe më keq se të tjerët. 


Ka një përzierje në mbivlerësimin dhe nënvlerësimin e vetëvrasjeve mes grave dhe burrave, nga mosha 15 deri 24 vjeçare. Për shembull, përqindja e vdekjeve nga vetëvrasja mes grave të reja në Hong Kong ishte shumë e lartë, me 50 përqind, por në studim, hamendja ishte vetëm 14 përqind. Nga ana tjetër e spektrit, në Afrikën e Jugut, mendohej për shifra të vetëvrasjeve të burrave të rinj me 27 përqind, kur shifrat zyrtare ishin 1.1 përqind. Nëpër të gjithë vendet, hamendësimi mesatar ishte se 20 përqind e vdekjeve mes grave dhe burrave të rinj ishin me shkak vetëvrasjen, kur shifrat flasin për 20 përqind të burrave dhe 17 tek gratë e reja. Shumë vende e mbivlerësojnë numrin e të burgosurve emigrantë në vendin e tyre, duke menduar se është në 28 përqind, kur në fakt është vetëm 15 përqind. Dhe disa vende janë edhe më të gabuar. Për shembull, në Holandë hamendja mesatare është se 51 përqind e të burgosurve janë emigrantë, kur në fakt janë vetëm 19 përqind. Një mbivlerësim të ngjashëm ka edhe në Afrikën e Jugut, Francë dhe ShBA. Megjithatë në Arabinë Saudite, raporti i të burgosurve shtetas të huaj është shumë i nënvlerësuar. Perceptimi mesatar ishte 26 përqind, kur shifrat në të vërtetë flasin për 72 përqind.


Shtatzënia mes adoleshenteve është e mbivlerësuar në botë, shpesh me shifra të habitshme. Në përgjithësi hamendësimi është se 20 përqind e vajzave adoleshente lindin çdo vit, kur realiteti flet vetëm për 2 përqind. Dhe disa shtete hamendësimi është e gjysma e vajzave adoleshente lindin fëmijë çdo vit, kur shifra më e lartë aktualisht është 6.7 përqind. Gjashtë në dhjetë njerëz në këta vende janë të pasigurt ose besojnë se ka një lidhje mes vaksinave dhe autizmit tek fëmijët e shëndetshëm, pavarësisht se pretendimi është hedhur poshtë gjerësisht – vetëm 42 përqind mendojnë se është i rremë.
Në Mal të Zi dhe Indi 44 përqind e njerëzve besojnë se disa vaksina shkaktojnë autizëm tek fëmijët e shëndetshëm. Çdo shtet në këtë studim e ka mbivlerësuar përhapjen e diabetit. Në indi dhe Brazil mendojnë për shifra rreth 47 përqind kur në fakt janë respektivisht 9 dhe 10 përqind. Hamendja mesatare për prevalencën e diabetit në të gjithë vendet është 34 përqind, kur në fakt është 8 përqind.


Rusia shihet si vendi më i alkoolizuar në botë, kur në fakt ata renditen vetëm të shtatit. Shumë pak, në mënyrë të saktë, zgjodhën Belgjikën si vendi me konsumin më të lartë të alkoolit, në këtë studim. Britania ka një imazh global si pijetarë të mëdhenj, nga përgjigjet e të anketuarave britanikët zgjidhen të katërtit ndër konsumatorët më të mëdhenj të alkoolit, mes 38 shteteve, pas Rusisë, Amerikës dhe Gjermanisë. Perceptim jo shumë larg së vërtetës, pasi aktualisht Britania renditet e gjashta. Edhe vetë britanikët e mbivlerësojnë pije dashjen, kur 60 përqind e britanikëve, në mënyrë të pasaktë, mendojnë se vendi i tyre qëndron në treshen e pijetarëve më të mëdhenj, të listës. Por ShBA shihet në mënyrë të saktë si “gojëmbla”, konsumatorja më e madhe e sheqerit, në të gjithë botën. Veç Amerikës ku 58% e kanë zgjedhur si vendi me konsumin më të lartë të sheqerit, shumë ë përpara se të tjerët, vende si Franca dhe Kina shihen gabimisht si konsumator të mëdhenj të sheqerit. Franca doli të shihej si e treta, kur në fakt renditet e 16-ta dhe Kina u mendua në vend të pestë, por në nivel global është e 24-ta.

Njerëzit zakonisht mbivlerësojnë masën e lidhjes me teknologjinë, me një hamendësim mesatar nëpër 38 vendet se, 75 përqind kanë llogari në Facebook, kur në fakt vetëm 46% kanë. Për shembull, në Indi mendojnë se 64 përqind e të gjithë indianëve mbi 13 vjeç kanë një llogari Facebook, kur vetëm 8 përqind kanë. Por edhe në vendet më të zhvilluara si Gjermania, janë të gabuar në këtë perceptim: ata mendojnë se 72 përqind e gjermanëve mbi 13 vjeç kanë llogari Facebook, kur vetëm 34 përqind kanë në të vërtetë. Secili nga këta shtete ka mbivlerësuar pronësinë e një telefoni inteligjent. Renditjen e kryeson Indonezia me një perceptim të pronësisë së smartphone-ëve me 85 përqind, kur shifrat flasin për vetëm 21 përqind.

Kjo mund të jetë për shkak se studimi është kryer online dhe, në shtetet me depërtim të ulët në internet, këto popullata do të ishin më shumë të klasës së mesme dhe me akses dhe kështu janë nisur nga përvojat vetjake, duke menduar se edhe pjesa tjetër e vendit është pak a shumë si ata. Por edhe në shtetet me depërtim më të lartë në internet, mbivlerësimi është domethënës: për shembull, në Gjermani, hamendësimi mesatar për pronësinë e celularëve smart ishte 86 përqind, kur në fakt është 69 përqind. Besimi tek Zoti, parajsa dhe ferri , u hamendësua pak a shumë saktë, por kishte pamje të gabuara në vende të caktuara. Për shembull, disa vene e mbivlerësojnë besimin tek Parajsa: Japonia mendonte se 42 përqind e popullit beson tek Parajsa, kur në fakt vetëm 19 përqind besojnë. Në Afrikën e Jugut shifrat janë të ndryshme; ata hamendësojnë se 67 përqind besojnë tek parajsa, kur në fakt janë plot 84 përqind. Në Spanjë, mendojnë se 43 përqind e spanjollëve besojnë tek Ferri, ku vetëm 19 përqind besojnë. Edhe besimi në Zot kishte ndarje, përshembull suedezët besojnë se 37 përqind besojnë tek Zoti , kur në fakt janë vetëm 22 përqind.

Të dhënat e përpiluara tregojnë se skandinavët kishin idenë më të mirë se çfarë po ndodhte në vendin e tyre dhe në vende si Danimarka, Norvegjia dhe Suedia dolën se ishin më të saktë, ndërsa suedezët kryesonin renditjen. Nga ana tjetër e spektrit, tre të fundit në rend zbritës ishin Filipinet, Brazili dhe Afrika e Jugut. Britania e Madhe ishte renditur e nënta për saktësi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vend të 16-të, pas Rusisë, Gjermanisë dhe Kinës. Nga versioni i 2016-ës, duket se rezultatet e këtij studimi kanë pësuar ndryshime. Atëherë ishte India më e paditura, ndërsa Holanda konsiderohej si më pak e tillë. Më 2017-ën, India u ngjit katër vende, ndërsa Holanda rrëshqiti 19 vende më poshtë. Individët që morën pjesë në këtë vëzhgim ishin të moshës nga 16 deri 64 vjeç, ndërsa intervistat u realizuan në periudhën shtator- tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë