Para

Studimi: Familjet që u vijnë para nga emigrantët, kursejnë më shumë

Studimi më i fundit i Bankës së Shqipërisë për financat familjare tregon se familjet që përfitojnë nga dërgesat e emigrantëve priren të kursejnë më shumë.

Arsyet pse këto familje kursejnë janë kursime për vitet e daljes në pension dhe për edukimin e fëmijëve.

Të dhënat tregojnë se mesatarisht 38% e familjeve shqiptare kursejnë.

Studimi i Bankës së Shqipërisë ka pasur në fokus anketimin e 2500 familjeve shqiptare në lidhje me pasurinë reale dhe financiare të tyre, detyrimet dhe investimet financiare, si dhe shpenzimet dhe të ardhurat e familjes. Anketimi është kryer nga INSTAT.

Sipas studimit të BSH-së, remitancat përveç ndikimit makroekonomik, përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për familjet shqiptare, duke ndikuar në sjelljen e tyre të konsumit dhe të kursimit.

Sipas të dhënave të vrojtimit, 22.6% e familjeve shqiptare ose gati 175 mijë nga 773 mijë familje në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë përfitojnë dërgesa nga jashtë në formën e remitancave.

Fluksi mesatar vjetor i të ardhurave nga emigrantët është në nivelin 2 mijë e 18 euro.
59% e familjeve marrin nga 94 deri në 1,200 euro të ardhura nga emigrantët në vit, 37% marrin nga 1,201 deri në 6,000 euro remitanca në vit dhe 3,8% e familjeve marrin mbi 6,000 euro remitanca në vit.

Të dhënat tregojnë që familjet që kanë marrë më shumë të ardhura nga emigrantët kanë qenë ato të qarkut të Tiranës, Elbasanit dhe Vlorës.

Ndërsa sipas shumës, përfitues më të mëdhenj kanë qenë qarku i Elbasanit, Tiranës dhe Durrësit.

Të dhënat tregojnë se për familjet që marrin të ardhura nga emigrantët, remitancat përbëjnë mesatarisht 34% të totalit të të ardhurave mujore të familjes.

Dërgesat nga jashtë mbeten një burim i rëndësishëm i të ardhurave për këto familje, madje për 24,4% të familjeve ato janë burimi kryesor i vetëm i të ardhurave.

Familjet në këtë vrojtim nuk pyeten për mënyrën e përdorimit të remitancave, por pyeten në përgjithësi për shpenzimet totale mujore të familjes që përfshijnë: shpenzimet për ushqim dhe pije-joalkoolike brenda shtëpisë, shpenzim për ushqim jashtë shtëpisë, shpenzim për energji elektrike dhe shpenzime për ujë, telefon, gaz dhe internet, duke përjashtuar shpenzimet për qira, për pagesa kredie, për polica sigurimi etj.

Të dhënat tregojnë se mesatarisht 69% e totalit të shpenzimeve mujore të familjeve në Shqipëri shkon për ushqime, ndjekur nga shpenzimet për energji elektrike (12%), shpenzimet për ushqim jashtë shtëpisë (10%) dhe shpenzim për ujë, gaz, internet (9.9%).

Për 9 muajt e parë të vitit 2019 të ardhurat e emigrantëve arritën në 351 milionë euro, kundrejt 501 milionë eurove që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë