Lajme

Studimi: Facebook njësoj si droga. Fshijeni, do t’ju bëjë më të lumtur!

Nëse dëshironi të jeni më të lumtur fshini Facebook-un, sugjeron një studim. Studimi i ri nga Stanford dhe NYU ka zbuluar disa shkaqe se si mund të rrisni lumturinë tuaj.
Përkundër të gjitha skandaleve të vitit të kaluar, jemi ende në Facebook; dhe dy miliardë prej nesh shpenzojnë rreth një orë në ditë nën kthetrat e tij të hekurta. Tani një studim i ri sugjeron që Facebook, ndikon në lumturinë tonë. Kjo për shkak se na bën të jemi të varur.

Siç kanë thënë disa ekspertë, sistemi i krijuar nga Facebook dhe platforma të tjera të mediave sociale ju bën të varur njëlloj si lojërat e fatit apo substanca narkotike. Sean Parker, një ish-shef i Facebook, shpjegoi se procesi i mendimit pas angazhimit të përdoruesve është i ngjashëm me dhënien e një doze dopaminë.

Studimi, i titulluar "Efektet e Mirëqenies së Medias Sociale", nga studiuesit e Stanford dhe NYU, ka parë se çfarë ndodh me njerëzit kur ata heqin dorë nga Facebook. Largimi duket të jetë po aq pozitiv sa mund të prisni se do të ishte, duke çuar në një mirëqenie më të mirë, më shumë përqendrim tek vetvetja dhe më shumë kohë për miqtë dhe familjarët.

Hulumtuesit rekrutuan 2,844 përdorues të Facebook dhe më pas u kërkuan gjysmës prej tyre të çaktivizojnë llogaritë për një muaj. Gjatë kësaj kohe i kontrollonin vazhdimisht dhe komunikonin me SMS për t'i pyetur sesi ndiheshin. Çaktivizimi shkaktoi përmirësime të gjendjes së tyre psikologjike. Ata ishin më të lumtur, më pak depresivë, ndienin më pak ankth dhe ndjenin më shumë kënaqësi.

Studimi pranon se ka, në mënyrë të qartë, përfitime nga Facebook dhe media sociale. Përpos të gjitha gabimeve, Facebook është ende një mjet i rëndësishëm për njerëzit që të qëndrojnë të lidhur me miqtë dhe familjen si dhe një burim informacioni, komuniteti dhe argëtimi, veçanërisht për ata që janë të izoluar në mënyrë shoqërore.

"Por rezultatet tona gjithashtu e bëjnë të qartë se dobësitë janë reale. Ne kemi zbuluar se katër javë pa Facebook përmirësojnë mirëqenien subjektive dhe zvogëlojnë ndjeshëm dëshirën për të qenë pjesë e këtij rrjeti social", thuhet në studim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë