Opinion

Studenti Edi Rama, po Kryeministrin kush do e bëjë?

Mentor Kasa - Pa u përshkallëzuar ende në mënyrë masive protesta e studentëve, Kryeministri Edi Rama i qëndronte bindjes së tij se tarifat e miratuara nga Qeveria godisnin vetëm “ngelësit” dhe me këtë ide i kthente përgjigje një komentuesi në profilin e vet në Facebook.

Ndoshta edhe nga fjala “ngelës”, rruga para Ministrisë së Arsimit u mbush akoma me më shumë studentë protestues ditën pasaardhëse, aq sa e detyruan Kryeministrin që të reagonte. Ai binte dakord me “ngelësit” dhe katër pikat fillestare të propozuara prej tyre. Katër pikat më vonë u dyfishuan dhe u qartësuan në tetë të tilla.

Nën presionin e protestës, Rama i pranoi të teta, por me kusht që studentët të uleshin në negociata me të. Kur e bëri për herë të parë këtë thirrje nuk shqiptoi dhënien fund të protestës, por për studentët ishte e qartë se negociatat përktheheshin në fund të saj. Veç kësaj, studentët e kishin dhe e kanë ende thuajse të pamundur përzgjedhjen e një përfaqësie dhe kjo falë infiltrimeve të forumeve rinore partiake.

Kjo bëri që sa herë që Rama thërriste për negociata, aq herë të përsëritej thirrja e studentëve “Jo negociata”. Ftesën e parë për negociata e bëri nga Kryeministria gjatë një dalje tradicionale për mediat dhe si gjithmonë drejtpërdrejtë edhe përmes kanalit të tij ERTV në Facebook.

Rama e përsëriti edhe disa herë këtë thirrje, në çdo dalje publike dhe përmes postimeve në rrjetet sociale, por në të gjitha rastet u refuzua. Studentët nuk kishin një qëndrim të unifikuar për vendndodhjen e protestës, apo sloganeve që duheshin hedhur në të, por përballë thirrjeve për negociata ngritën një mur të pakalueshëm.

Në pamundësi për të depërtuar në këtë mur, Edi Rama ndryshoi fjalën e përzgjedhur. Nuk fliste më për negociata, por për bashkëbisedim, ose dialog. “Protestoni sa të doni, por hajdeni të dialogojmë”, deklaronte ai.

Për studentët në shesh kërkesa në thelb ishte e njëjta dhe “negociata” me “dialogun” sinonime të plota. Rama u refuzua sërish prej tyre duke thënë në kor se s’ka pse negociohet për 8 kërkesa që ai i ka në dorë t’i plotësojë.

Ditët e fundit, pasi dështoi t’i bëjë për vete me fjalën “negociatë” dhe më pas me simotrën e saj, fjalën “dialog”, Edi Rama po përpiqet t’i bindë me një tjetër rrugë. Studentët janë brezi i rrjeteve sociale, brezi i memeve dhe postimeve të shkurtëra, ironike, satirike dhe shpesh therëse për pushtetarët.

Për Ramën jo. Ai thotë se i adhuron memet, sidomos ato të publikuara nga “Jeta osh Qef” dhe nga “Brrylli Broadway”. “Ata çuant e Brrylit janë fantastikë! Mua më pëlqejnë shumë”, deklaronte ai në emisionin “Opinion” mbrëmjen e së enjtes. Këtu ripërsëriti fjalinë se edhe ai ka qenë vetë student protestues, se i admironte studentët e sotëm që protestojnë, por sidomos memet e shfaqura në këtë protestë. “Unë i shpërndaj edhe vetë memet”, vijonte Kryeministri, duke i kujtuar Blendi Fevziut memen “Dua që të arsimi në Shqipëri të shkëlqejë si koka e Blendi Fevziut”, apo memen ku protagonist ishte deputeti i tij, Erjon Braçe: “I dua tarifat sa Erjon Braçe”.

Megjithatë, është e vërtetë që në rrjetet sociale Kryeministri ka shpërndarë herë pas here meme, kryesisht ato që godisnin rivalin e tij politik, Lulzim Basha, por është gjithashtu e vërtetë se sot, Kryeministri është shndërruar në burimin kryesor të memeve, duke u ofruar faqeve të të rinjve “lëndën e parë” të tyre.

Meme per premtimin e Rames per rritjen e buxhetit per arsimin ne 5 per qind te PPB

Por, duket se me ndjesinë e të riut dhe studentit, që krejt papritur u zhvesh nga kostumi i Kryeministrit dhe u rikthye në auditor, Edi Rama po dështon me sukses që të përthithë mesazhin e vërtetë, përmbajtjen e këtyre memeve.

Lutjet e tij për dialog në rrjetin e Instagramit janë në kufijtë e qesharakes, edhe për vetë studentët kur e shohin, të cilët me zhargonin rinor i kanë kënduar disa herë “Edi Rama leje mallin, hajde këtu e na qaj hallin”.

Vargjet rimuese nuk mund të jenë thjesht një meme. Në pjesën e parë të këtyre vargjeve, të rinjtë ja bëjnë të qartë Kryeministrit se sa “qesharak” po bëhet në sy të tyre, ndërsa në pjesën e dytë kërkojnë zgjidhjen e shqetësimeve që kanë.

Pavarësisht se kjo “këngë” është kënduar para Ministrisë së Arsimit, para Kuvendit dhe para Kryeministrisë deri në ditën e dhjetë të protestës studentore, mesazhi i përcjellë prej të rinjve, ose nuk është kuptuar, ose është bërë sikur nuk është kuptuar nga ana e Kryeministrit.

Postimi i Kryeministrit ne Instagram

Pikërisht në ditën e dhjetë të protestës, ai vazhdoi me “avazin”, duke publikuar në Instagram një tjetër meme. Protagonist ishte vetë dhe në memen në fjalë ishte marrë fotografia nga “selfie” e famshme e tij me mbishkrimin “Kur do të dialogojmë?” dhe ishte thinjosur. Domethënia e memes ishte e qartë: Rama më parë do të plakej se sa do të dialogonte me studentët pa plotësuar më parë 8 kërkesat e tyre.

Megjithatë, më shumë se sa mungesa e aftësisë për t’i kuptuar, kjo sjellje e Edi Ramës mund të interpretohet si një strategji. Ai vërtet nuk ka zbritur fizikisht mes të rinjve, por mendërisht po përpiqet të hyjë në mentalitetie e tyre, si një “kopjac” memesh në rrjetet sociale.

Gjetje e duhur apo jo, ditët e fundit, Kryeministri, që sistemi ynë kushtetues e njeh si njeriun më të pushtetshëm në vend, nuk po qeveris dhe nuk po bën Kryeministrin. Sot, Kryeministri po bën studentin dhe pyetja që ngrihet është: po Kryeministrin, kush po e bën?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë