Lajme

Studentët vazhdojnë ngujimin në fakultete: Nuk tërhiqemi

Studentët  vazhdojnë ngujimin në mjediset e fakulteteve. Ata thonë se janë të vendosur për të mbrojtur kauzën e tyre. Grupe studentësh kanë kaluar natën brenda godinave pa ngrohje  dhe shprehen se nuk do të ndalen derisa qeveria të plotësojë kërkesat e tyre. Gjithashtu me studentët janë solidarizuar bashkëmoshatarë të tyre, që i kanë dërguar mbrëmjen e djeshme edhe ushqime.

Studentët e  Ekonomikut janë shprehur  për Gazetën “Si” se do të vazhdojnë ngujimin me turne dhe do të ndërrohen vazhdimisht me njëri-tjetrin. Dyert e fakulteteve qëndrojnë të mbyllura dhe policët nuk kanë lejuar që studentët e tjerë të futen brenda territorit të fakulteteve.  Studentët janë shprehur se ky është një provokim nga ana e rojeve private dhe gjatë gjithë kohës ata i kërcënojnë, por ata shprehen të vendosur se do të vazhdojnë ngujimin.

https://youtu.be/tfqQZn_X0ss

“Dera është e mbyllur zinxhirë. Gjatë ditëve të zakonshme dera mbyllet me çelës, ndërsa tani e kanë ndryshuar. Na thonë se kanë urdhër nga qeveria që të mos futet njeri në fakultet, ndërkohë që studentët e tjerë që duan të na mbështesin kanë ngelur jashtë. Gjatë gjithë kohës kemi provokime dhe kërcënime  nga policët e sigurisë, ndërsa ushqimet dhe batanijet i kemi marrë nga hekurat,” shprehet njëra prej studentëve.  

Ndërkohë që në fakultetet e tjera si i Inxhinierisë dhe Arkitekturës në moment kur studentët kanë tentuar të marrin ushqime janë përplasur me punonjësit e policisë.  Gjithashtu  në fakultetin e filologjikut shihet një grup i vogël studentësh të cilët vazhdojnë të protestojnë për plotësimin e kërkesave të tyre.

Ndryshe nga ditët e tjera, gjatë ditës së sotme shihet një situatë më e qetë, por studentët gjatë gjithë kohës shprehen se protesta do të përshkallëzohet edhe në forma të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë