Arsim

Studentët e mjekësisë s’pranojnë kompromis, paralajmërojnë edhe ngujimin

Nga Gazeta Si- Studentët e mjekësisë së përgjithshme e kanë nisur ditën e sotme me protestën e paralajmëruar prej ditësh. Nisur nga Godina e Kuqe, studentët marshuan drejt Ministrisë së Arsimit ku dhe bënë kërkesat e tyre, pasi mbajtën 1 minutë heshtje për “vdekjen” e kësaj Ministrie siç thanë ata.

Një nga kërkesat e studentëve është hapja e një tryeze me përfaqësues nga çdo grup interesi për të diskutuar mbi këtë ligj.

Kërkesa tjetër ishte pezullimi i ligjit dhe në fund dorëheqja e zv.ministres së Arsimit Albana Tole e cila ka deklaruar në një emision televiziv se studentët te cilët nuk bien dakord me kushtet e kontratës të ndërpresin studimet, t’i lenë përgjysmë.

Studentët deklaruan gjatë protestës se nuk po kërkojnë të bëjnë asnjë kompromis, duke thënë se do të donin një ballafaqim me Ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu.

“Kërkojmë një ballafaqim me Ministren e Arsimit. Nuk duam kompromis e as nuk do të ketë kompromis. Po protestojmë për të anuluar këtë ligj dhe nuk do ndalemi derisa ta arrijmë”, tha një nga studentët, duke shtuar se bojkoti do të vazhdojë.

Më herët, studentët kanë thënë për Gazetasi.al se të gjithë bashkë kanë menduar edhe të përshkallëzojnë protestat duke shkuar deri në një ngujim pranë ambienteve të Universitetit të Mjekësisë por diçka e tillë nuk është pranuar nga studentë të tjerë të cilët kanë qenë kundër këtij vendimi, të paktën për momentin.

Të pyetur sot nëse vazhdon të jetë një opsion, studentët thanë për Gazetasi.al se vazhdon të jetë një opsion por si zgjidhje e fundit.

“Nuk duam të shkojmë deri në atë pikë. Do të presim derisa të kemi një vendim nga Gjykata Kushtetuese dhe do vazhdojmë me bojkot deri kur të kemi një përgjigje nga Ministria e Arsimit”, thonë studentët.

A i mbështesin qytetarët?

Ndërkohë që gjithë rruga e Durrësit pranë Ministrisë së Arsimit ishte bllokuar nga studentët që protestonin, të shumtë ishin qytetarët që kalonin aty, disa duke pyetur se çfarë po ndodh dhe disa të tjerë që ndalonin ti mbështesnin studentët, qoftë dhe vetëm për disa minuta.

“I mbështes. Unë kam vajzën në vitin e tretë për Stomatologji dhe dua që të zgjedhë vetë për shkollimin e saj. Nëse do ti duhej të paguante një tarifë të lartë, nuk do kisha aspak mundësi dhe as nuk do i thoja dot të firmoste një kontratë që ajo nuk e sheh të arsyeshme. Shpresoj që të anullohet si vendim edhe pse dyshoj shumë dhe më vjen keq për këto të rinj që luftojnë kaq shumë dhe do zhgënjehen”, tha një nga qytetarët që qëndroi larg turmës së madhe, por duke duartrokitur bashkë me studentët.

Një tjetër qytetar, Avni Ruçi, tha për Gazetasi.al se i ka ndjekur studentët që kanë folur për këtë çështje dhe sipas tij, “studentët janë të paqartë edhe vetë se çfarë duan”.

“Janë të rinj dhe mirë që ngrenë zërin për diçka që nuk u pëlqen por në këtë rast mendoj se janë nxituar. I kam ndjekur diskutimet dhe të gjithë thonë se nuk duan të ikin nga vendi dhe po protestojnë se përse po i detyrojnë të paguajnë një tarifë të lartë. Po atëherë le të mos e paguajnë tarifën e lartë dhe të qëndrojnë në Shqipëri ashtu siç thonë se duan të bëjnë. Kështu janë në rregull dhe me tarifën edhe me punën”, thotë Ruçi.

Shumë qytetarë kalonin të pa shqetësuar ndërkohë që gjithë rruga ishte e mbushur me studentë të veshur me bluzat e bardha që qëndronin para Ministrisë së Arsimit në pritje të një përgjigje, ndërsa shumë të tjerë kalonin duke duartrokitur, duke u dhënë zemër studentëve apo dhe duke thënë me njëri-tjetrin “Sa shumë kërkon rinia e sotme…”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë