Politike

Ligji që mban studentët e mjekësisë në vend, Açka: Antikushtetues, ndëshkues dhe tejet i cunguar

Nga Gazeta Si - Flutura Açka, deputetja e Partisë Demokratike dhe ish kryetare e Komisionit të Edukimit ka reaguar sot pas protestës së studentëve të mjekësisë duke e cilësuar si të paralajmëruar dhe të pritur, “pasi qëndrimin e tyre ndaj iniciativave ligjore për “detyrimin” me ligj të shërbimit në vend pas studimeve universitare, ata e kanë bërë të qartë para institucioneve qeveritare përgjegjëse, para Kuvendit të Shqipërisë dhe pjesë të debatit publik të shoqërisë shqiptare”.

Açka thotë në një postim në Facebook se kur Projektligji për Trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë, kaloi me shumë nxit për diskutim në Komisionin për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik dhe për votim në Parlament, shqetësimi ishte shumë i qartë: grupet e interesit nuk ishin respektuar në hartimin e një projekti solid e që mund t’i jepte një zgjidhje të duhur situatës së krijuar pas shpalljes së tij.

“Jo vetëm antikushtetues, por diskriminues, ndëshkues dhe tejet i cunguar, i atillë që nuk e përligj me zgjidhje shqetësimin kombëtar të rrjedhjes së trurit dhe të burimeve njerëzore, veçmas në degët e rëndësishme të shërbimit ndaj popullatës, ky ligj, i shqyrtuar dhe miratuar në pak javë, vetëm e veshi plagën kombëtare me kinse zgjidhje, por edhe prodhoi edhe shumë keqkuptime dhe revoltë mes studentëve”, shkruan Açka duke shtuar se Partia Demokratike është pranë shqetësimit të studentëve dhe familjeve të tyre, është pranë interesit të studentëve dhe mbështet të drejtën e tyre për t’u dëgjuar, respektuar dhe kërkon që iniciativat ligjore të përshtaten me interesat e studentëve dhe gërshetimit të nevojave të tyre me ato kombëtare që kërkon situata aktuale e vendit tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë