Arsim

Studentët e mjekësisë kërkesë rektorit Gjata: Deklaroni se nuk do na paraqitet kontrata pa vendosur ligji

Nga Gazeta Si - Pasi dorëzuan padinë në Gjykatën Kushtetuese, studentët e mjekësisë kanë vijuar me hapin e radhës, duke paraqitur 3 kërkesa për Rektorin e Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata.

Në formën e një kërkese për reagim, studentët kërkojnë që rektori të deklarojë se Universiteti nuk do paraqesë asnjë kontratë derisa të vendosë Kushtetuesja, të deklarojë se Universiteti është në krah të studentëve dhe të marrë masa që pedagogët të mos ushtrojnë presion ndaj studentëve.

Kërkesat e studentëve për rektorin Gjata:

1-Deklarimi publik se Universiteti nuk do të paraqesë asnjë kontratë deri në përfundim të shqyrtimit të padisë nga Gjykata Kushtetuese.

2-Deklarimin publik se Universiteti dhe Ju personalisht jeni në krah të studentëve dhe na mbështesni në lëvizjen tonë.

3-Marrjen e masave për të mos lejuar pedagogët të ushtrojnë presion të çdo forme ndaj studentëve me qëllim detyrimin për ndalimin e bojkotit.

Studentët shkruajnë se, nisur nga situata emergjente, i lënë kohë rektorit të kthejë një përgjigje mbi kërkesat deri të premten, me datë 27 tetor.

“Në rast të një mosreagimi nga ana juaj, do të jemi të detyruar të intensifikojmë lëvizjen tonë me marrjen e masave përshkallëzuese”, shkruajnë studentët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë