Arsim

Studentët e Mjekësisë dorëzojnë padinë në Kushtetuese, kërkojnë rrëzimin e ligjit që u mban peng diplomat

Nga Gazeta Si - Studentët e Mjekësisë së Përgjithshme kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese padinë për ligjin e ri që i detyron të punojnë në vend nga 2 deri në 5 vite ose të paguajnë tarifën vjetore prej 240 mijë lekësh.

Prej 3 javësh studentët e mjekësisë janë në bojkot dhe kanë nisur protestat kundër ligjit që i vendos mes dy zgjedhjeve.

Më herët studentët kanë kërkuar edhe ndihmën e opozitës për padinë.

Gazmend Bardhi, në një postim në mediat sociale tha ditën e djeshme se 30 deputetë kanë firmosur kërkesën duke iu përgjigjur thirrjes së studentëve.

“Duke respektuar reagimin e studentëve dhe protestën e tyre, pa asnjë ndërhyrje politike, apelojmë edhe njëherë për Qeverinë që të dëgjojë zërin dhe shqetësimin e studentëve dhe t’i japë zgjidhje kërkesave të tyre”, shkroi Bardhi.

Në protestat e tyre, studentët kanë thënë se nuk do të firmosin kontratën pa vendosur Gjykata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë