Politike

Strategjia e re, bashkitë e PD s’japin leje për mitingjet e Ramës

Bashkia e Shkodrës nuk i ka dhënë leje Edi Ramës për të zhvilluar një takim elektoral në këtë qytet, parashikuar për pasditen e kësaj të enjte.

Përmes dy shkresave drejtuar Policisë së Shtetit dhe Partisë Socialiste, dega Shkodër, Bashkia thotë se në zbatim të dekretit të Presidentit Ilir Meta, zhvillimi i tubimeve elektorale është i paligjshëm dhe si i tillë nuk do të lejohet.

“Çdo aktivitet elektoral që mund të zhvillohet në sheshet publike të hapura në qytetin e Shkodrës, konsiderohet i paligjshëm dhe për rrjedhojë, Bashkia Shkodër nuk miraton leje për asnjë subjekt politik”, thuhet në deklaratën drejtuar Policisë së Shtetit, drejtoria e Shkodrës.

Në shkresën drejtuar degës së Partisë Socialiste, që kishte dorëzuar në Bashki kërkesën formale për zhvillimin e aktivitetit, Bashkia i përgjigjet negativisht me arsyetimin se të gjitha sheshet janë të zënë me aktivitete të tjera.

“Me fillimin e sezonit turistik, në Bashkinë e Shkodrës janë duke u realizuar në të gjitha sheshet e Bashkisë aktivitete promovuese për turizmin dhe nuk ka asnjë shesh të lirë për organizim takimesh”, thuhet në këtë shkresë.

Edhe ky refuzim ligjërisht bazohet tek dekreti i Presidentit Ilir Meta që shfuqizon 30 qershorin si datë zgjedhjesh dhe pritet që me të njëjtat argumenta dhe arsyetime, Edi Rama dhe mazhoranca të përballet me mohimin e lejes së zhvillimit të tubimeve elektorale në të gjitha bashkitë e kontrolluara nga partitë opozitare.

Kryeministri dhe mazhoranca nga ana tjetër nuk e njohin dekretin e Metës dhe gjasat janë që të sfidojnë bashkitë opozitare duke vazhduar përpara me agjendën e tyre elektorale. Sfida ka nisur që me Shkodrën. Forca të shumta policore dhe të Gardës së Republikës kanë nisur që në paraditen e së enjtes patrullimin në Pedonalen e qytetit, aty ku pritet që pasdite të shkojë Edi Rama.

Nuk përjashtohet që bashkitë vetë të reagojnë edhe duke u përpjekur që të ndalojnë këto tubime përmes përdorimit të policive bashkiake, ndaj mbetet për t’u parë nëse ky reagim do të mbërrijë që në Shkodër.

Kjo do të thotë se skenat si ato që u panë në Kamëz, ku u vendosën përballë njëri-tjetrit punonjës të shtetit, nga njëra anë të policisë së shtetit dhe nga ana tjetër të policisë bashkiake të përsëriten edhe më shpesh në orët dhe ditët në vazhdim.

Ajo që mbetet për t’u parë është se deri në çfarë shkalle do të shkojë përplasja mes institucioneve qendrore dhe atyre vendore të kontrolluara nga opozita. Shenjat e deritanishme nuk flasin për një zbutje të qëndrimeve, përkundrazi.

Në vazhdën e publikime të reja të gjermanes “Bild”, Partia Demokratike duket edhe më e bindur për t’i qëndruar kauzës së saj deri në fund, me pikën kryesore largimin e Edi Ramës.

“Edi Rama është padrino i krimit. Tani nuk ka më alibi. Shporrja e tij dhe e bandës së tij në pushtet është mision kombëtar. Kriminelët e zgjedhjeve po i shesin moral popullit në studiot televizive. Bardh Spahia arrestohet pse protestoi kundër krimeve të tyre. Ne nuk do të ndalemi derisa ta shporrim këtë bandë dhe kreun e saj!”, shkroi Lulzim Basha përmes rrjeteve sociale mbrëmjen e së mërkurës.

Bardh Spahia ishte shpallur në kërkim nga ana e policisë së shtetit për ngjarjet e ndodhura në KZAZ-në e Shkodrës ditën e martë. Ai sfidoi këtë vendim të uniformave blu për t’u përballur me Taulant Ballën në studiot e Top Channel. Por, sapo la selinë e PD-së, policia e arrestoi në transmetim të drejtpërdrejtë.

Pak para se të arrestohej Bardh Spahia, në Kavajë mbështetësit e opozitës sulmuan KZAZ-në e qytetit. Edhe këtu përplasjet nuk munguan mes protestuesve dhe zyrtarëve të bashkisë dhe policisë së shtetit.

Skena të ngjashme u panë gjatë gjithë ditës së mërkurë nga Burreli e deri në Skrapar e Gjirokastër, ndërsa Policia e Shtetit njoftoi për disa të arrestuar dhe dhjetra të proceduar për ngjarjet në fjalë. Por, as përshkallëzimi i tensioneve dhe as djegia e shkatërrimi i materialeve zgjedhore në disa bashki të djathta nuk hoqën bindjen e Kryeministrit Edi Rama për të vazhduar përpara me misionin e zhvillimit të zgjedhjeve më 30 qershor.

I ftuar në emisionin “Përballë” me Lutfi Dervishin në televizionin publik, Rama këmbëngul se pas aksionit të opozitës fshihet frika e drejtuesve të saj nga reforma në drejtësi.

“Nuk ka asgjë surprizuese për mua në gjithë këtë që po ndodh. E kam ditur me kohë e me vakt që ecuria e reformës në drejtësi do të shoqërohej me një përshkallëzim të politikës destruktive dhe e kam ditur që zgjedhjet që do të kemi pas 10 ditësh do të ishin preja e një përpjekje për të marrë peng procesin e integrimit, duke krijuar një imazh që mund të fusë në dilemë edhe miqtë e partnerët tanë”, deklaroi Rama.

Po në të njëjtën studio, Kryeministri përjashtoi mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. “Zgjedhjet do të bëhen në vitin 2021”, tha ai, duke dhënë edhe motivin e nismës së socialistëve për të shkarkuar Ilir Metën.

“Shkelje të rëndë të Kushtetutës, pa asnjë diskutim”, shtoi Rama.

Por, që shkarkimi të mos mbetet në tentativë, fjalën e fundit duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese. Ajo sot është jofunksionale. Rama premton ngritjen e shpejtë të saj.

“Procedurat e shkarkimit kanë nisur. Ato nuk do të ndalen deri në votimin e shkarkimit. Pastaj do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese që të marrë në shqyrtim argumentat e shkarkimit dhe të nxjerrë vendimin përfundimtar. Kështu e thotë Kushtetuta. Gjykata Kushtetuese është pastruar nga llumi që e kishte fundosur moralisht falë vettingut dhe që do të rikrijohet dhe riorganizohet me kandidatura që do të vijnë për gjykim pasi të kenë kaluar procesin e vettingut dhe të jenë të pastër prej tij. Eshtë një zhvillim i rëndësishëm dhe koha që kërkon është e pashmangshme”, u shpreh Kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë