Futboll

Strakosha humb edhe Zenitin në Champions, për Inzagin s’është ende gati

Lacio ka nesër mundësinë për të hapur dyert që do ta çonin në 1/8-at e Ligës së Kampionëve. Në “Olimpico” pret rusët e Zenitit dhe në rast fitoreje, skuadra e Tares dhe Strakoshës do të hipotekonte kalimin e turit. Janë tri pikë të rëndësishme, kjo është e qartë në kampin lacial, siç pohon edhe trajneri Simone Inzagi.

"Po, ndeshja e nesërme është shumë e rëndësishme për ne. Objektivi ynë është të kalojmë grupin dhe e kemi nisur shumë mirë, tani duhet të vazhdojmë me këto rezultate. Luajmë me një skuadër të fortë dhe duhet shumë kujdes”, - ka theksuar trajneri i Lacios, i cili ka sqaruar se portën do ta mbrojë veterani Pepe Reina dhe jo Strakosha.

Tomas Strakosha, portieri kuqezi i Lacios. Gazeta Si, 23 nëntor 2020

“Kthehet Luiz Felipe në vend të Patrik. Për ne është një rikthim shumë i rëndësishëm, ashtu si ai i Strakoshës. Ai është portieri titullar, por ka qenë jashtë skuadre për shumë kohë dhe nesër do të luajë përsëri Reina, i cili po paraqitet shumë mirë. Pastaj do të shohim”, - u shpreh trajneri Inzagi.

Strakosha u bë çështje në Itali, kur rezultoi pozitiv me Covid-19, ashtu si dhe Imobile dhe Leiva. Gjithsesi, ai e ka kaluar tashmë këtë situatë, por me sa duket, nuk është ende gati të luajë nga minuta e parë me Lacion. Për shkak të infektimit nga Covid-19, portieri i Lacios mungoi edhe në ndeshjet e fundit të Kombëtares, ku u aktivizua Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë