Njerez

Stomatologët: Mund të ndërtojmë respiratorë në 3D, mbajnë lidhur 4 pacientë

Një grup stomatologësh shqiptarë i kanë ofruar sot qeverisë të ndërtojnë një sërë respiratorësh, për të ndihmuar të prekurit nga koronavirusi.

Në një postim në Facebook, ata thonë se këto aparate mund të ndërtohen falë printerave 3D, por se u duhet ndihma dhe aprovimi i qeverisë.

Stomatologët Besar Lalike dhe Eldian Cepeli, Edison Shima dhe disa profesonistë të tjerë dentarë kane marrë përsipër të prodhojnë pjesë të aparateve te ventilimit. Këto pjesë do mundësojnë që me një aparat të vetëm të lidhet dhe te mbahet në jetë jo 1, por deri në 4 paciente. Kjo gjë do na mundësonte shpresat për të mbajtur në jetë katër-fishin e pacienteve që janë në gjendje të rëndë dhe kanë nevojë për ventilatorë.

Megjithatë, stomatologu Shima thotë në një postim në Facebook se për të bërë të mundur ndërtimin e respiratorëve duhen disa tuba dhe valvula që prodhohen në printera 3D.

“Unë duke qene se disponoj Printera 3D kam shprehur gatishmërinë time për prodhimin e 500 valvulave respiratore nëse do jetë diçka që ju nevojitet dhe ju vjen në ndihmë”, shkruan ai.

Në mbështetje të kësaj nisme ka ardhur edhe stomatologu Gjergji Dilo, i cili i ka bërë thirrje të gjithë kolegëve që zotërojnë  një printer 3D të solidarizohen.

Kush disponon rezine për printer ky është momenti kur duhet më shumë  se kurrë.

Nuk është momenti të prodhojmë dhëmbë apo proteza të bukura, është momenti të shpëtojmë jetë”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë