Futboll

Stolat e nxehtë të Superiores, më shumë se gjysma e trajnerëve s’e mbyllën fazën e parë

Gazeta Si – Me largimin e Luixhi Di Biaxhos nga Dinamo shkon në 6 numri i skuadrave që kanë ndërruar trajner, kur është luajtur vetëm faza e parë e kampionatit. Stolat e elitës së futbollit shqiptar duken shumë të nxehtë, madje aq të nxehtë sa trajneri mund të largohet që pas javës së parë, si në rastin e Stavri Nicës.

Trajneri durrsak ishte i pari që u largua këtë sezon. Ai la Laçin dhe tani drejton Kukësin, pasi ky klub mbylli bashkëpunimin me Rrahman Hallaçin. Laçi është ndoshta për rekord, sepse aktualisht drejtohet nga trajneri i 3-të, Mirel Josa. Pas Nicës, u largua edhe Skerdi Bejzade.

Ka ndërruar trajner gjithashtu Teuta, ku vendin e Diego Longos e mori Edi Martini. Rasti më i çuditshëm është ai me Orges Shehin, që Tirana e ka pezulluar prej pak javësh dhe në dy ndeshjet e fundit është drejtuar nga Julian Ahmataj. Situata është ende pezull te kjo skuadër.

Ndryshon rasti i Partizanit, që lejoi Zoran Zekiç të kthehet në Kroaci për të drejtuar Osijekun. Klubi i kuq është në kërkim të trajnerit të ri, ndërkohë që në derbi u drejtua nga drejtori sportiv Arbër Abilaliaj, që fitoi 2-1.

Tani vjen edhe dorëheqja e Di Biaxhos, trajnerit më të paguar të Superiores. Italiani ka arritur rezultate të dobëta dhe humbja e fundit me Teutën, nga 2-0 në 2-3 rezultoi fatale për të. Drejtimin e Dinamos do ta marrë Dritan Mehmeti, trajneri që e drejtoi këtë skuadër në Kategorinë e Parë.

Vetëm 4 trajnerë të 10 skuadrave të Superiores kanë rezistuar në fazën e parë. Ata janë Eldir Tetova i Egnatias, që mban vendin e parë, Migen Memelli i Vllaznisë, Ivan Gvozdenoviç i Skënderbeut dhe Alfred Deliallisi i Erzenit.

Për punën e trajnerit thuhet se është gjithmonë me ‘valixhe në duar’, por Superiorja gjithsesi mund të jetë një përjashtim me kaq shumë lëvizje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë