Tomas Strakosha gjithmonë e më larg Lacios. Krisja duket totale mes tij dhe klubit. Ishte titullar i padiskutueshëm, kampionatin e fundit nuk kishte humbur asnjë mintë. Pepe Reina erdhi si portier i dytë, një zgjedhje e klubit për Ligën e Kampionëve, por edhe për ta ndihmuar 25-vjeçarin shqiptar të rritet, duke pasur pranë një koleg me përvojë.
Sezoni shkoi ndryshe nga sa ishte parashikuar, pasi disa probleme fizike të Strakoshës dhe pastaj prekja e tij nga Covid-19 krijuan një shans për Reinën, i cili e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë, duke fituar fanellën e titullarit. Deri tani, 38-vjeçari ka luajtur 16 ndeshje dhe do të jetë nga minuta e parë edhe në derbin me Romën.

“Gazzetta dello Sport” shkruan për probleme fizike të Strakoshës, por portieri kuqezi tashmë ka përplasje me klubin, pasi nuk e konsideron veten portier të dytë. Ka luajtur vetëm 7 ndeshje në këtë sezon dhe 10 herë ka qenë në stol. Trajneri Inzagi e aktivizoi titullar me Fiorentinën, por është e qartë se Reina i jep më shumë siguri. Strakoshës i skadon kontrata në vitin 2022 dhe rinovimi është bllokuar.
Portieri i Kombëtares është shumë pranë largimit, qëndrimi në stol e bezdis shumë atë. Ideja për të ndërruar skuadër mund të konkretizohet që në merkaton e dimrit, ku Lacio mund të fitojë diçka financiarisht nga shitja e portierit shqiptar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.