Presidenti Ilir Meta po zhvillon një takim me kryeministrin Edi Rama, Lulzim Basha dhe ambasadoren Yuri Kim. Në takim është edhe ministri i mbrojtjes, Niko Peleshi. Ky takim vjen në prag të fillimit të një prej stërvitjeve më të mëdha të ushtrisë amerikane në Evropë, “Defender Europe 21” në Shqipëri. Për të parë nga afër përgatitjet, vendin tonë po e viziton zëvendëskomandanti i Ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë, gjeneralmajor Joseph F. Jarrard.
Stërvitja “Defender Europe 21” ku do të marrin pjesë rreth 6000 trupa dhe qindra mjete ushtarake nga SHBA, Shqipëria dhe vendeve të tjera aleate, do të zhvillohet në bazat kryesore ushtarake të vendit tonë gjatë muajit maj të këtij viti.
Ambasada e SHBA në Tiranë zbardhi detaje nga takimi i ambsadores Yuri Kim me Presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama, në Presidencë. Ambasada thekson se i pranishëm në takim ka qenë edhe Zëvendëskomandant Gjeneral i Ushtrisë së SHBA në Evropë, Gjeneral Major Joseph Jarrard, i cili ka diskutuar me krerët e politikës shqiptare për vazhdimin e punimeve “për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin tonë nëpërmjet stërvitjeve të ardhshme ushtarake të SHBA, me ushtarë shqiptarë dhe në tokën shqiptare”.
(1/2) "I want to thank President Meta, PM Rama & Minister Peleshi for hosting me today. We had a great discussion about how we can continue to work together to build our readiness and interoperability through upcoming 🇺🇸 military exercises with Albanian soldiers & on 🇦🇱 soil." pic.twitter.com/exuoGpgojF
— USEmbassyTirana (@USEmbassyTirana) February 3, 2021
E ftuar në një studio televizive, Kim tha se do të kemi atë që e quajmë stërvitjen ushtarake Defender 21”.
“Do të jetë një stërvitje e drejtuar nga ushtria e SHBA në Europë dhe do të përfshijë rreth 26 vende të ndryshme, 30 mijë trupa. Do të jenë ndoshta 6 mijë trupa që do të kalojnë nëpër Shqipëri në maj dhe qershor dhe javën e ardhshme, zv.komandanti i ushtrisë amerikane për Europën dhe Afrikën do të jetë këtu për të informuar udhëheqësit e vendet dhe publikun se çfarë është kjo stërvitje. Pra, shumë domethënëse”, tha ajo.
Ambasadorja Kim tha se “do të jetë stërvitja më e madhe ushtarake që do të zhvillohet në Ballkan”.
“Do të përfshihen 26 vende të ndryshme që do të dërgojnë trupa. Nuk e di nëse të gjitha do të kalojnë këtu, por 6 mijë do të jenë këtu. Ajo që do të ndodhë është që stërvitja do të zhvillohet në shumë vende të ndryshme, jo vetëm në Shqipëri. Edhe vendet e tjera të Ballkanit do të jenë pjesë e stërvitjes dhe deri në Balltik. Ideja e stërvitjes është të zhvillojë bashkëpunimin mes aleatëve, që të kemi aftësinë të shkojmë nga Adriatiku deri në Detin e Zi. Pra, është diçka madhore”, tha ajo.
“Mendoj se SHBA, nëpërmjet NATO-s, gjithmonë ka qenë e qartë për rëndësinë që ka puna e ngushtë me aleatët dhe miqtë tanë. Jemi të qartë se çfarë do të thotë të jesh pjesë e bashkësisë ndër-atlantike”, tha ambasadorja Kim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.