Gazeta Si - Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj pritet të pyetet sërish nga SPAK në lidhje me hetimin për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.
Nuk është vendosur ende se kur do të thirret për t’u ripyetur ish-ministri. Ndërkohë që GJKKO orientoi të SPAK-un, që të shtrijë hetimet edhe mbi përgjegjësitë e tij si ministër gjatë procedurave të koncensionit.
Sipas burimeve paraprake, Beqaj do të pyetet në lidhje me udhëtimet që ka bërë drejt Italisë dhe Vjenës së bashku me ish-zëvendësin e tij, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj që fitoi koncesionin, të dy këta të fundit të arrestuar tashmë.
LEXO EDHE:
- Afera e ‘sterilizimit’, si u shkel kontrata me kostot dhe hezitimi i ish-ministrit Cani. Pagesat kaluan përtej parashikimeve
- Ilir Beqaj thyen heshtjen dhe mbron sterilizimin: Disa të vërteta për "koncesionin", Umbro Staccinin e Ilir Rrapajn i njoha kur u bëra ministër
- ‘Sterilizimi’/ Argumentet e SPAK në padi dhe dyshimet ndaj koncesionarit dhe MSH
- Hetimet për ‘sterilizimin’, Berisha: Zhdukja e kontratës origjinale nga Beqaj, banditizëm për të fshehur vjedhjen
Përveç Beqajt, në SPAK do të pyeten edhe 4 ish-zyrtarë të tjerë pas sugjerimit të GJKKO-së në lidhje me hetimet.
Të 4 këta persona, dy ish-ministrat, zyrtarë të tjerë në ministrinë e Shëndetësisë dhe kompaninë konçesionare “Sani Service”, janë duke u hetuar nga SPAK, pas një vendimi detyrues nga gjykata për të thelluar veprimet hetimore.
Një ditë më parë reagoi në rrjetet sociale vetë Ilir Beqaj, i cili deklaroi se sterilizimi ngriti në një tjetër nivel kirurgjinë shqiptare dhe se kontratën e koncesionit e firmosi për nevoja pune.
Por ish-ministri i Shëndetësisë nuk përmendi aspak mungesën e dokumentit origjinal të kontratës së koncesionit të sterilizimit, që SPAK nuk po e gjen. Ilir Beaj është pyetur edhe më herët në SPAK për koncesionin e sterilizimit.
Dhënia e koncesionit të sterilizimit u firmos në vitin 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare “SaniService”.
SPAK e nisi hetimin për këtë koncesion në vitin 2019, pas një kallëzimi të depozituar nga ana e nismës “Thurje”. Në 2020-ën çështja u regjistrua për 3 akuza që janë “shpërdorim detyre”, “shkelje të barazisë në tendera” dhe “korrupsion pasiv”.
Hetimet kishin në fokus marrëveshjen mes ministrisë me kompaninë që fitoi koncesionin me vlerë 100 mln euro. Raportet e bëra ndër vite nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë ngritur alarmin se ky koncesion po i shkaktonte një dëm të madh ekonomik buxhetit të shtetit pasi kostot kishin nisur të rriteshin me 20-30% më shumë nga ç’ishin parashikuar në kontratë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.