Drejtësia

Dosja e ‘sterilizimit’, të akuzuarit kërkojnë lirinë në Apel. Seanca të mërkurën

Gazeta Si - Apeli i GJKKO-së vendosi të shtyjë për ditën e nesërme (e mërkurë 4 tetor) seancën në ngarkim të personave të arrestuar për dosjen e ashtuquajtur të “sterilizimit”.

Për këtë çështje janë arrestuar ish zëvendës ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni që fitoi tenderin për koncesionin e sterilizimit, Ilir Rrapaj.

Ata janë arrestuar në muajin gusht për koncesioni e pajisjeve të sterilizimit, vlera e të cilit përllogaritej në 100 milionë euro.

Dy të arrestuarit kanë kërkuar ndryshim të masë së sigurisë, nga “arrest në burg” në një masë më të lehtë, por kërkesa e tyre pritet të shqyrtohet të mërkurën në orën 09:00, pasi njëri prej avokatëve të të arrestuarve nuk është legjitimuar në seancë, dhe për këtë gjykata vendosi për shtyrjen e saj.

Ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë dhe kanë argumentuar se nuk kanë asnjë rrezikshmëri dhe mund të hetohen në një masë më të butë se “arrest me burg”.

Gjithashtu, masë sigurimi më të butë kanë kërkuar Marsela Serjani dhe Saimir Kadiu, të cilën ndodhen në masat e sigurisë “arrest shtëpie”. Me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nuk janë pajtuar 2 të hetuarit e tjerë, Genc Burazeri dhe Arben Gjata, të cilët gjithashtu kanë kërkuar ndryshim të masës së sigurisë. Këto kërkesa të tyre do të shqyrtohen ditën e nesërme.

SPAK ka ngritur ndaj tyre akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”, ndërsa për biznesmenin Ilir Rrapaj, atë të “mashtrimit me pasoja të rëndë”.

Sipas SPAK, koncensioni i dhënë në 2016-ën për sterilizimin e mjeteve mjekësore, është dhënë në shpërdorim të detyrës dhe duke favorizuar biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili rezultoi të ishte lidhje shoqërore e ish-zëvendësministrit, Klodian Rrjepaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë