Futboll

Starova trazon ujërat: Tirana me trajner të ri në Kupat e Europës

Tirana është vetëm një hap larg titullit kampion dhe meritë për këtë sigurisht që ka trajneri Emanuel Egbo, i cili, si një pjesëtar i familjes bardheblu, ka vendosur disa ekuilibra që mungonin. E nisi si trajner provizor, por shpejt klubi e konfirmoi në detyrë, sepse me kalimin e javëve nigeriani i befasoi të gjithë me atë seri të gjatë fitoresh. Mgjithatë, kjo ecuri mjaft e mirë dhe fitimi i titullit duket se nuk mjaftojnë që Egbo të qëndrojë në stolin e Tiranës.

Ish-trajneri i kësaj skuadre, Sulejman Starova, është i bindur se drejtuesit e klubit po kërkojnë një trajner të ri, që mund ta drejtojë Tiranën që në aventurën e saj europiane. Gjatë emisionit “Pressing” në “Abc”, Starova ka deklaruar. “Tirana i ka pasur lojtarët, aty kanë qenë, por më parë kanë qenë të dëmtuar. Egbo është trajner portierësh, ai u thotë lojtarëve në stërvitje: ‘Si ua ka bërë Ardi ushtrimet? Si u ka bërë Ahmataj dhe të tjerët? Ashtu vazhdoni’. Tani po ruhet harmonia në skuadër. Edhe ky lloj trajneri ecën, por Tirana është duke menduar për trajner tani, Egbo është për të stërvitur portierët. Tirana do ketë trajner tjetër në Ligën e Kampionëve dhe Egbo do jetë pjesë e stafit”.

Sulejman Starova, ish-trajner i Tiranës. Gazeta Si, 5 qershor 2020

Starova është nga ata persona që e njeh mirë ambientin në klubin kryeqytetas dhe deklarata e tij nuk duket thjesht e bazuar në intuitën e tij. Pas emërimit të Egbo si trajner provizor, klubi bardheblu kontatkoi disa trajnerë, por më pas u tërhoq, duke parë edhe ecurinë e skuadrës, që kryeson bindshëm Superioren me 9 pikë diferencë nga vendi i dytë dhe titulli është vetëm çështje kohe.

Egbo është trajneri i tretë që e drejton Tiranën në këtë sezon, pas Ardian Memës dhe Julian Ahmatajt. Sipas Starovës, me mbylljen e kampionatit ai do të kthehet në vendin e tij si trajner potierësh për t’i lënë vendin një tjetër trajneri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë