Futboll

Stambolli digjet për herë të dytë, finalja e Championsit drejt Lisbonës

Stambolli mund të privohet për të dytin vit radhazi nga finalja e Ligës së Kampionëve për shkak të pandemisë nga Koronavirusi. Shumë shpejt UEFA pritet të njoftojë zyrtarisht stadiumin e ri të finales mes Mançester Sitit dhe Çelsit, që do të zëvendësojë “Ataturk”-un.

Qeveria britanike ka kërkuar që finalja të spostohet në “Wembley”, duke qenë se luhet mes dy klubeve angleze, por kjo pistë është ftohur ditët e fundit pas bisedimeve mes përfaqësuesve anglezë dhe UEFA-s. Shkak janë bërë problemet organizative dhe zhvillimi i finales në Londër do të merret sërish në konsideratë vetëm nëse hiqet karantina për ata që shkojnë në këtë qytet nga jashtë.

Stadiumi "Ataturk" humb finalen e dytë radhazi. Gazeta Si, 11 maj 2021

Tashmë ka fituar më shumë kuota pista e Lisbonës. Në Nion po punojnë për rikthimin në Portugali, ku sezonin që shkoi u zhvillua “Final 8” me dyer të mbyllura. Dhe stadiumi i preferuar duket se është “Da Luz”, shtëpia e Benfikës. Për shkak të hapësirave të ngushta ka rënë poshtë kandidatura tjetër, ajo e stadiumit “Dragao” të Portës. Vendimi zyrtar nga UEFA është vetëm çështje orësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë