Lajme

Sportelet tatimore në dorë të ADISA-s, PD: Antiligjore dhe barrë për biznesin

Partia Demokratike thotë se vendimi i Qeverisë, i marrë në mbledhjen e datës 2 tetor, që kalon sportelet e shërbimit për bizneset nga Drejtoria e Tatimeve tek Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve të Integruara jo vetëm që është një akt i paligjshëm, por edhe një tjetër barrë për biznesin.

“Qeveria e Edi Ramës ka marrë këto ditë një vendim që godet çdo biznes tatimpagues dhe që përkeqëson më tej klimën e biznesit në Shqipëri. Në kundërshtim flagrant me ligjin, qeveria ka vendosur që çdo biznes, i vogël apo i madh qofte ai, nuk do të ketë më marrëdhënie direkte me tatimet dhe nuk do të marrë më shërbimet e nevojshme pranë sporteleve të organit tatimor”, deklaroi nga selia blu, Armand Teliti.

Veç kësaj, PD mendon se ADISA nuk ka as përvojën dhe as kapacitetet për t’i shërbyer sipërmarrjes së vogël dhe dhe mesme dhe akuzon se vendimi i fundit mbyll derën e ndihmës për biznesin.

“Sipas Ligjit për Proçedurat Tatimore, detyra parësore e organit tatimor është dhënia e shërbimit tek tatimpaguesi, por me vendimin e fundit të qeverisë, nëse bizneset do të kenë nevojë për sqarim apo ndihmë nga tatimet, do ta gjejnë këtë derë të mbyllur, pasi klima e mirë për biznesin nuk është prioritet për Edi Ramën”, shtoi Teliti.

Opozita thotë se pas këtij vendimi, Tatimet në vazhdim do të funksionojnë vetëm për të gjobitur biznesin, pa ofruar asnjë shërbim në këmbim. PD vlerëson se kjo është një tjetër barrë që i shtohet klimës së rënduar të të bërit biznes në Shqipëri.

Vendimi i Qeverisë i 2 tetorit kalon nën varësinë e ADISA-s sportelet e Drejtorisë së Tatimeve dhe kalon punonjësit aktualë të këtyre sporteleve nga punonjës të tatimeve në punonjës të kësaj agjencie.

Në njërën prej pikave, vendimi i Qeverisë nuk përjashton që në rastet kur sportelet e ADISA-s nuk mund të ofrojnë shërbimet e kërkuara nga qytetarët, ato do të vazhdojnë të ofrohen nga vetë institucioni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë