Rend dhe Ligj

“Spiuni i përgjimeve”, Prela: Prokurorët aktual të çështjes nuk janë në hetim


Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela ka sqaruar hetimet që po ndiqen për dosjen e famshme 339 të bandës së Avdulajve, duke dhënë detaje e kohës që kjo dosje ka kaluar që në vitin 2016 në disa prokurorë. Ndryshe nga sa pritej Donika Prela shmangu faktin se kush prokuror është “spiuni” i përgjimeve të nxjerrë në media dhe që së fundmi bëri bujë të madhe me publikimin e 6 audiopërgjimeve nga tabloidi gjerman “Bild”, ku nxori përgjimet e kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako me të arrestuar Astrit Avdylaj. “Prokurët aktualë të çështjes nuk janë në hetim për nxjerrje të sekretit hetimor”, deklaroi Prela, e cila shmangu përballjen me gazetarët, duke u mjaftuar vetëm me leximin e deklaratës.
“Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë më 28.12.2016 ka regjistruar veprat penale, për prodhim narkotikësh dhe trafik narkotikësh në bashkëpunim. Hetimet janë kryer nga disa prokurorë sipas periudhave. Më 28. 12. 2016. deri më 20.11. 2017 hetimet janë kryer nga prokurori Anton Martini dhe dy OPGJ. Gjatë kësaj periudhe që përfshin dhe zgjedhjet janë regjistruar procedim vetëm për drogë. Nga 20.11.2017 deri në 2019, hetimet janë kryer nga prokurori Hajdarmataj dhe 3 oficerë të Policisë Gjyqësore. Në 2018 është regjistruar hetimi për grup të strukturuar kriminal. Më 5.7.2018 dhe 14.8.2018 është vendosur regjistrimi i emrave për prodhim e shitje narkotikësh, trafik, korrupsion aktiv në zgjedhje, grup i strukturuar kriminal, korrupsion i funksionarëve të lartë. Pas largimit të Hajdarmataj me vendim të drejtuesit të prokurorisë, më 25.09.2019 janë caktuar Vladimir Mara dhe Dritan Prençi. Në një periudhë kohore më pak se 20 ditë janë regjistruar emrat e 40 subjekteve si të dyshuar të veprës penale” deklaroi Prela.


Por Prela ka theksuar se nuk ka hetime të ndara për krimin zgjedhor, por edhe përgjimet që kanë dalë kanë qenë sporadike.
“Theksojmë se paralelisht me kryerjen e veprimeve hetimore për veprat penale në fushën e zgjedhjeve, prej datës 18.10.2018, janë duke u kryer hetime edhe për faktet penale të nxjerrjes dhe publikimit të akteve sekrete hetimore dhe të përmbajtjes së tyre, fakte të cilat jo vetëm janë të dënueshme penalisht, por edhe dëmtojnë seriozisht vazhdimin e hetimeve. Në këtë periudhë për hetimin e tyre është caktuar si pjesë e hetimeve dhe një prokuror tjetër. Kemi zgjedhur të heshtim në debatin e madh që po zhvillohet këto ditë pasi i qëndrojmë bindjes dhe detyrimit tonë ligjor dhe kushtetues që një prokuror i mirë, profesional dhe me integritet flet kryesisht nëpërmjet vendimeve të veta, përmes akteve të ndryshme, mjeteve juridike, pra nëpërmjet punës. Hetimi i veçantë dhe i pavarur i veprave penale në fushën e zgjedhjeve ka qenë objektivisht i pamundur, pasi nuk mund të bëhej dhe nuk mund të bëhet ndarja e transkripteve, për këtë vepër penale sa kohë që element të sajë janë konstatuar të ndërthurura me subjekte të përgjuar për veprimtarinë kriminale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal sa kohë që kjo ndarje nuk është bërë në momentin e konstatimit të tyre.”, deklaroi Prela.
Sipas saj, dosja 339 ka 74 persona nën hetim dhe se është më madhja në historinë e prokurorisë.
“Sigurojmë opinionin publik se Prokuroria për Krimet e Rënda Tiranë, gjatë kësaj periudhe është duke kryer veprime intensive hetimore për të gjitha veprat penale të cilat dyshohen se janë kryer në kuadër të këtij procedimi penal, veçanërisht për episodet që lidhen me veprat penale në fushën e zgjedhjeve për të cilat është intensifikuar puna pas zbardhjes së transkripteve të përgjimeve”, mbylli Prela deklaratën për shtyp.

Të dhënat për hetimet
Në kuadër të hetimeve, janë administruar gjithsej 624 CD me regjistrime të përgjimeve elektronike dhe 115 DVD. Nga këto, janë 110 CD për vitin 2017, 479 CD për vitin 2018 dhe 35 CD për vitin 2019.
Nga fillimi i procedimit penal datë 28.12.2016, deri më datë 20.11.2017 hetimet janë kryer nga prokurori Anton Martini dhe dy oficerë të policisë gjyqësore. Pas kësaj date Prokurori është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësorë Shkodër.
Nga data 20.11.2017, deri më datë 21.09.2018, hetimet janë kryer nga Prokurori Besim Hajdarmataj, dhe 3 oficerë të policisë gjyqësore të seksionit të prokurorisë dhe të policisë së shtetit.
Pas largimit të Prokurorit Hajdarmataj, në datë 25.09.2018, janë caktuar për hetimin e procedimit, prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, ku ky i fundit rezulton se ka qenë prokuror dhe ne disa procedime të tjera penale të bashkuara me procedimin penal nr 339/2016 më parë.
Në fund të tetorit 2018, një muaj pasi dosja është marrë në hetim, janë nxjerrë gjithsej 44 masa sigurimi arrest në burg për persona të ndryshëm për veprat penale të sipërcituara.
Nga prokurorët e çështjes, janë regjistruar emrat e 40 subjekteve, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të ndryshme, të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, trafikimit të narkotikëve, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, “Falsifikimi i dokumenteve”, “ Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë