Analize

Spiunët rusë, sa e rrezikshme është gjendja në Maqedoni?

Politikanë të kapur nga Rusia, spiunë të infiltruar në institucione dhe media të sponsorizuara nga Kremlini që nxisin përçarjet midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Situata në Maqedoni mund të jetë më e rrezikshme sesa mendoni.

Sipas disa dokumenteve dhe të dhënave të mbledhura nga inteligjenca maqedonase, spiunët dhe diplomatët rusë janë përfshirë në një përpjekje gati dhjetëvjeçare për të penguar arritjen e një marrëveshjeje mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe për të bllokuar anëtarësimin e Shkupit në NATO. Raportet e publikuara disa javë më parë nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), sygjerojnë gjithashtu se agjentët rusë po përpiqen të krijojnë barriera dhe përcarje mes shqiptarëve dhe maqedonasve, më qëllim rikthimin e konflikteve etnike të viteve 2000.

SHBA-ja e shqetësuar

Shqetësimet për ndërhyrjen ruse u ngritën publikisht edhe nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes James Mattis, gjatë vizitës së tij në Shkup. Pak para mbërritjes, Mattis ngriti sërish alarmin se Rusia po përpiqet të bojkotojë referendumin e shtatorit, për të penguar arritjen e një marrëveshjeje mes Maqedonisë dhe Greqisë.  Duke folur në avion me një grup gazetarësh që e shoqëronin gjatë vizitës së tij në Maqedoni, shefi i Pentagonit deklaroi se "nuk ka dyshim" se Moska po financon organizatat pro-ruse në Shkup, për të bojkotuar referendumin.

"Rusët hodhën para dhe zhvilluan një fushatë të gjerë influencimi në opinionin publik, deklaroi Mattis, duke theksuar se është e vështirë të përcaktohet efektiviteti i këtyre përpjekjeve. Vetëm pak para vizitës së tij, një përfaqësuese e lartë e Pentagonit, Laura Cooper deklaroi se Rusia po ndërhyn me dezinformime dhe metoda të tjera për të tjetërsuar votat  e maqedonasve ". Si shembuj të këtij ndikimi të Moskës, ajo vuri në dukje përpjekjet e Kremlinit  për të bindur qytetarët maqedonas se referendumi nuk është i ndonjë rëndësi të madhe dhe nuk është hapi i fundit për pranimin e Maqedonisë në NATO. “SHBA-ja ka frikë se dezinformimi rus mund të çojë në pjesëmarrje të ulët në referendum dhe të japë përshtypjen se Uashingtoni nuk është i angazhuar në rajon”, deklaroi Cooper.


Kryeministri Zoran Zaev dhe James Mattis, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, në Shkup

Sipas “Associated Press”, Rusia kundërshton integrimin e Maqedonisë me BE dhe NATO pasi nuk dëshiron zgjerimin e territorit të Aleancës së Atlantikut të Veriut në zonat që më parë i nënshtroheshin ndikimit të saj. Përpjekjet e Rusisë për të penguar marrëveshjen midis Athinës dhe Shkupit dolën fillimisht në pah në fillim të korrikut, kur Greqia dëboi ​​dy diplomatë rusë.

Si u “infiltruan”spiunët rusë në Maqedoni?

Dokumentet e publikuara nga OCCRP-ja tregojnë se spiunët rusë kanë provokuar prej vitesh mosmarrëveshje të brendshme dhe të jashtme në Maqedoni. Një përmbledhje e raporteve të inteligjencës maqedonase përshkruan gjithashtu edhe përpjekjet e inteligjencës serbe për të mbështetur nacionalistët anti-perëndimorë dhe pro-rusë në Maqedoni.

Dokumentet ofrojnë një nga pikëpamjet më të qarta të përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë për të rritur ndikimin e saj në territoret e ish-Jugosllavisë dhe për ta larguar rajonin nga Perëndimi. Në prill, parlamenti i Malit të Zi votoi për t'u bërë anëtari më i ri i NATO-s. Maqedonia dhe Bosnja dhe Hercegovina duan gjithashtu të bashkohen me aleancën ushtarake, madje dhe vetë Serbia ka thelluar lidhjet me NATO-n, pavarësisht pakënaqësive të shumta të serbëve ndaj aleancës transatlantike pas sulmeve ajrore kundër Beogradit në 1999. Sipas dokumenteve, përpjekjet ruse dhe serbe kanë ndezur një krizë të madhe politike në Maqedoni, duke shkaktuar përçarje të mëdha midis partive kryesore politike, si dhe duke rritur tensionet mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Një pjesë e dokumenteve të inteligjencës maqedonase
 

“Për nëntë vitet e fundit, Maqedonia ka parë një aktivitet të fortë propagandistik nga Ambasada e Federatës Ruse”, deklaronte ne raport Vladimir Atanasovski, drejtori i Administratës Maqedonase të Inteligjencës(UBK). Fillimi i operacioneve ruse fillon që në vitin 2008, kur Maqedonia aplikoi për herë të parë t'u anëtarësuar në NATO dhe Greqia vuri veton.

"Duke përdorur mjetet dhe metodat propagandistike, si pjesë e strategjisë së Federatës ruse në Ballkan, Moska u përpoq të izolonte Maqedoninë nga Perëndimit, thuhet në raportet e inteligjencës maqedonase. "Për më tepër, qëllimi i politikë së jashtme ruse është të kontrollojë burimet strategjike të energjisë përmes partneritetit me vendet e Ballkanit." Sipas dokumentit, Kremlini donte ta vendoste Maqedoninë në një gjendje varësie ndaj politikës ruse".

Në raportet e publikuara nga OCCR-ja shkruhet se aktivitetet e inteligjencës ruse janë kryer nga ambasada e saj në Shkup, nëpërmjet nga tre agjentëve të Shërbimit Informativ Rus (SVR), të mbikëqyrur nga një bazë në Beograd, si dhe katër agjentë të Agjencisë Ruse të Inteligjencës. Gjithashtu thuhet se në  këtë operacion janë të përfshirë përfaqësuesit lokalë të agjencisë shtetërore të lajmeve TASS dhe një përfaqësues të “Rossotrudnichestvo”, një agjenci qeveritare ruse që është hetuar më parë nga FBI-ja.

Si vepronin spiunët në Maqedoni?

“Agjentët rusë kanë punuar për të rekrutuar pjesëtarë të dikurshëm dhe të tanishëm të ushtrisë dhe ministrisë së brendshme të Maqedonisë për të krijuar një ekip të trajnuar ushtarak, i cili mund të përdorej në një moment ose situatë të caktuar politike për realizimin dhe zbatimin e  interesave ruse", thuhet në dokument. Sipas të dhënave të inteligjencës maqedonase, këto përpjekje kanë qenë të suksesshme. Agjentët rusë kanë tentuar gjithashtu t’u ofrojnë fonde mediave maqedonase me qëllim që të përhapin  dezinformim në lidhje me qytetarët shqiptarë, në mbështetje të qëllimeve të politikës ruse.

“Konsullatat e themeluara në qytetet e Manastirit dhe të Ohrit funksionojnë si baza inteligjence”, thotë dokumenti, pa dhënë hollësi të mëtejshme. Rusia gjithashtu ka rritur në mënyrë drastike shtrirjen e saj kulturore në vend, duke nxitur përhapjen e identitetit sllav dhe besimin e ortodoks të maqedonasve. “Ambasada e Rusisë ka mbikëqyrur krijimin e rreth 30 shoqatave miqësore Maqedoni-Rusi në vend- thotë dokumenti- si dhe hapjen e një qendre kulturore ruse në Shkup dhe duke sponsorizuar ndërtimin e  kishave ortodokse ruse në të gjithë vendin.”

Përpjekjet e Rusisë duket se kanë pasur efekt. Për shembull, qeveria maqedonase refuzoi të bashkohet me sanksionet perëndimore mbi Rusinë gjatë ndërhyrjes ushtarake në Ukrainë në vitin 2014. Ndërkohë përçarjet fetare mes shqiptarëve kryesisht myslimane dhe maqedonasve ortodoksë janë rritur ndjeshëm përgjatë viteve të fundit.

Kush janë politikanët e lidhur me Rusinë?

Përfshirja e Rusisë politikën maqedonase ka ndodhur gjithnjë në “dritën e diellit”. Kremlini është një mbështetës i zjarrtë i VMRO-DPMNE-së, ish partisë qeverisëse nacionaliste të Nikola Gruevskit, i cili dha dorëheqjen si kryeministër pas një krize të gjatë politike në vitin 2015. Pas zgjedhjeve të dhjetorit, kreu i partisë social-demokrate Zoran Zaev krijoi më 31 maj një qeveri koalicioni me dy parti shqiptare. Por kjo solli mjaft trazira në vend. Më 27 prill, protestuesit nacionalistë sulmuan parlamentin, duke dhunuar Kryeministrin Zaev dhe dhjetëra deputetë të tjerë. Dokumentet e publikuara nga OCCRP tregojnë se të paktën një agjent i inteligjencës serbe ishte i pranishëm gjatë sulmit.


Një pjesë e dokumenteve të inteligjencës maqedonase

Gruevski dhe figura të tjera të larta të VMRO-së janë aktualisht nën hetim nga një prokuror i posaçëm për akuzat që përfshijnë shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e parave. Rusia ka dalë kundër qeverisë së Zaev dhe partive shqiptare, duke e  akuzuar kryeministrin se përkrah projektin e "Shqipërisë Madhe". Në një dokument të veçantë që përshkruan një takim të zyrtarit të lartë të ministrisë së jashtme maqedonase Nenad Kolev dhe ambasadorit rus Oleg Shcherbak, më 7 prill, ambasadori ka thënë se qëllimi i Rusisë ishte të "krijonte një rrip shtetesh militante" në Ballkan, i cili do të përfshinte Bosnja dhe Hercegovinën, Maqedoninë dhe Serbinë.

Burimet: OCCRP, "Washington Post", 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë