Treg

Spitalet autonome, Shehu: Do të përkeqësojnë shërbimin dhe thellojnë abuzivizmin

Ish Ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu kundërshton projektligjin e hedhur për diskutim nga qeveria për shërbimet spitalore.

Ai e konsideron këtë projektligj, si “tufëzat” dhe “arrëzat” e Ramiz Alisë duke u shprehur se shkel të drejtat e njeriut.

Tritan Shehu, ish Ministër Shëndetësie

Duke deklaruar se projektligji në fjalë është hartuar pa asnjë diskutim midis specialistëve, grupeve të interesit, as dhe brenda Ministrisë, Shehu thotë se “Në këtë dokument nuk përmenden ”motorrët” e përmirësimit të spitaleve si respektimi i të drejtës së pacientit për të zgjedhur shërbimin e shoqërimi i tij me financim, “spitali ndërmarrje”, kostoja nëpërmjet DRG për të gjithë-publik e privat, bashkëpagesat, tregu i shëndetit me konkurrencën, politikat për nivelet profesionale, etj, që do ta nxirrnin sistemin nga “këneta”.”

Për ish Ministrin demokrat të Shëndetësisë ky projektligj është veçse një zhgaravinë shterpë e një Qeverie në ikje, në një vend në kolaps, që po mbetet pa mjekë e pa spitale, i klasifikuar i fundit në Europë për “kujdesin ndaj pacientit”.

Ky projektligj, shprehet Shehu, përdor si fasadë disa shprehje konfuze rreth një pseudo autonomie, mënyrash financimi e kontraktimesh të mjegullta etj, pa harruar PPP-të, që nuk krijojnë asnjë premisë përmirësimi, përkundrazi.

“Ai dominohet nga koncepte centraliste bllokuese, si ndarja në spitale terciar, rajonal e bashkiak; shkelja e të drejtave të njeriut ndaj mjekimit, mospërcaktimi i të njëjtave indekse kostoje për të gjithë, qëndrimi tek praktikat e dështuara të paketave, ndarja e “autonomisë” në disa nivele surreale me mekanizma financimi jostimuluese e të paqarta, etj, gjë që do të përkeqësojë shërbimin e thellojë abuzivizmin”- thotë Tritan Shehu.
Sipas tij, pavarësisht nëse ai do të shkojë apo jo në atë ”Kuvend”, “fundin e ka në kosh, për tu zëvendësuar së shpejti prej nesh mbas diskutimesh publike, me një paketë të tërë ligjesh zhvilluese për spitalet tona në agoni”.

Projektligji që është hedhur për diskutim nga qeveria dhe nuk shoqërohet nga një relacion shpjegues, synon ndarjen e spitaleve në spitale autonome dhe në spitale të tipit II të cilat janë financuara nga buxheti i shtetit dhe njësitë e qeverisjes vendore dhe janë në vartësi administrative të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

Autonomia spitalore përcaktohet si e plotë ose e pjesshme.

Autonomia e plotë përfshin: Autonomi në financim (financim nga burime të ligjshme jo buxhetore)

Autonomi në menaxhimin e burimeve njerëzore (rekrutimi totalisht nga vetë spitali sipas rregullave të përcaktuara nga vetë ai).

Autonomi në kryerjen e investimeve sipas nevojave të spitalit.
Autonomia e pjesshme është kur spitali përfiton vetëm një ose disa nga komponentët e autonomisë së plotë të parashikuara.

Të gjitha burimet financiare që sigurojnë dhe përdorin spitalin publik autonom, konsiderohen fonde publike dhe si të tilla u nënshtrohen rregullave të menaxhimit financiar të fondeve publike, rregullave të kontabilitetit publik dhe raportimit financiar dhe janë të kontrollueshme nga ministri përgjegjës për shëndetësinë.

Burimet financiare të spitalit të nivelit të dytë arkëtohen dhe regjistrohen në llogaritë bankare të Bankave të nivelit të dytë.

Mënyra e financimit të spitaleve publike është një tjetër risi e këtij drafti.
Teksa me ligjin aktual janë katër mënyra financimi: Ministria e Shëndetësisë, institucionet e sigurimeve shoqërore, pushteti vendor apo donatoret vendas dhe të huaj, në projektligjin e ri spitalet publike në vartësi të tipit të tyre financohen nga të mësipërmet duke sjellë risi financimi edhe të ardhurat e siguruara nga vetë spitali.

Spitali i tipit II është Spitali Rajonal ose Bashkiak i cili financohet nga buxheti i shtetit, fondi i sigurimit të detyrueshëm dhe burime të tjera të ligjshme. Draftligji parashikon si pjesë të shërbimit spitalor dhe spitalet jopublikë (privatë).
Ligji detyron që spitalet publike të bashkëpunojnë sipas legjislacionit në fuqi me spitalet jopublike për ofrimin e ndërsjelltë të shërbimeve spitalore.

Spitalet publike lidhin kontrata shërbimi me spitalet jopublike dhe anasjelltar sipas fushave dhe afateve kohore të përcaktuara me Urdhër të Ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

Për financimin publik të spitaleve jopublike thuhet se “spitalet jopublike përfitojnë fonde publike nëpërmjet financimit të paketave të shërbimeve të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Spitalet jopublike përfitojnë fonde publike nëpërmjet partneritetit publik privat sipas legjislacionit në fuqi”.

Gazeta “Si” e interesuar për sqarime të mëtejshme rreth projektligjit pranë Ministrisë së Shëndetësitë, nuk ka marrë ende përgjigje, pasi sipas zëdhënëses së institucionit, personat përgjegjës janë në terren për shkak të ngjarjes së tërmetit të ndodhur më shumë se 10 ditë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë