Politike

Spiropali: Meta, karikaturë e vetvetes! Blushi: E çmendura E…

Në lidhje me vendimet e Ilir Metës për të kthyer për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet si në Kodin Penal, ashtu edhe në ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik-privat nga mazhoranca ka reaguar Elisa Spiropali.

Ministrja për Marrëdhëniet me Kuvendin postoi në rrjetet sociale një shënim me doza të forta ironie e sarkazme ndaj Presidentit Meta, që e cilësoi karikaturë të vetvetes.

“Nga lartësia e maleve ku thotë se po ngjitet me Çelebiun e tij, Baba Xhikja lëshoi dje një tjetër krisëm nga dyfeku presidencial. Me një fjalor të katandisur si mos më keq ai qëlloi mbi shumicën dhe opozitën parlamentare, ai na rikujtoi se nuk kemi më President, po në vend të Presidentit na ka mbetur një karikaturë e vetë Ilir Metës. Ka mbetur vetëm hija dhe vula e Baba Xhikes në presidencë, prej ku çeta e tij e mbledhur grusht nën dritën e hënës, pret tërmetin dhe urdhërat nga mali për të shkrepur dyfekun”, shkruan Spiropali.

Ministrja përmend vetëm për kthimin e Kodit Penal, jo për kthimin e ligjit për koncesionet dhe PPP-të. Këtë detaj e vuri re edhe zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi. Përmes një reagimi në Facebook, ai nuk e përmend në emër, por dukshëm shënjestron Elisa Spiropalin.

“Asnjë habi që në kulmin e vapës, Rilindja ndërsen gjithmonë të çmendurën E. E çmendura E., foli sot për shumë gjëra, por në asnjë rresht për thelbin e problemit: nenet e dyshimta klienteliste 17 dhe 18 të ligjit famoz të PPP-ve, që në muajt e verës i krijojnë hapësirë pakicës që nuk do rotacion, të sulet drejt pronave publike për të zhvatur ç'të mundë deri në vjeshtë. Dhimbje për të çmendurën E., cila pasi nxorri me këpucë të kuqe doganat, nuk i bën përshtypje t'i nxjerrë dritat e kuqe të gjithë ekonomisë kombëtare, pavarësisht paralajmërimeve të institucioneve ndërkombëtare”, shkruan ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë