Futboll

Spektakolare nga Rumania, Haxhi president shkarkon Haxhin trajner

I madhi George “Zhika” Haxhi në Rumani ka dhënë dorëheqjen nga ekipi që e ka vetë në pronësi, Vitorul Konstanta, pas një serie rezultatesh zhgënjyese. Haxhi ka deklaruar se “bashkë me presidentin e klubit duhet të gjejmë një trajner të ri ditët e ardhshme”. Vitoruli nuk arriti të kualifikohet për në fazën e “Play-off”-it mes 6 skuadrave më të mira të kampionatit rumun.

Haxhi i mbiquajtur “Maradona i Karpateve”, është konsideruar futbollisti më i madh i të gjitha kohërave në Rumani. Ai themeloi Vitorulin në vitin 2009 dhe e ka ende në pronësi atë. Është një klub që dallohet për besimin te të rinjtë e vendit pranë Detit të Zi dhe rritjen e tyre. E ka drejtuar klubin drejt fitimit të titullit të parë kampion në vitin 2017 dhe më pas ka fituar edhe Kupën e Rumanisë dhe Superkupën vitin e kaluar.

Haxhi kur luante me Barcelonën. Gazeta Si, 3 gusht 2020

Ish-lojtari i famshëm numëron 124 ndeshje me kombëtaren rumune dhe tre pjesëmarrje në Kupën e Botës. Ka luajtur për shumë klube të mëdha në Europë, mes të cilëve Real Madridin dhe Barcelonën. Ka fituar Kupën UEFA me Gallatasarajin në vitin 2000. 55-vjeçari po ashtu ka drejtuar si trajner Rumaninë, Steauan e Bukureshtit, Politehnika Timishoarën, Bursasporin dhe Gallatasarajin. Tani shkarkon veten nga roli i trajnerit të skuadrës që e ka në pronësinë e tij. Në fund të fundit, trajneri matet me rezultate…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë