Politike

Spanja dhe Franca nën pushtetin e flakëve, Rama: Do të ndihmojmë nëse na kërkohet

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama shprehu solidaritet me Francën dhe Spanjën, të cilat prej ditësh luftojnë me pasojat katastrofike të zjarreve.

Ai u shpreh se Shqipëria është gati të japë kontributin e saj modest në kuadër të Bashkëpunimit Europian të Mbrojtjes Civile.

“Dua t’ju përcjell shprehje solidariteti të gjithë kolegëve tuaj në Francë dhe Spanjë.

Ne e kemi bërë edhe në të shkuarën falë jush, dhe jemi gati ta bëjmë përsëri nëse na kërkohet të japim ndihmën tonë modeste në kuadër të bashkëpunimit europian të mbrojtjes civile dhe të përgjigjemi në raste se na kërkohet, siç jemi përgjigjur vjet dhe parvjet edhe më parë kur fqinjët tanë kanë qenë në hall të madh dhe siç na janë përgjigjur dhe miqtë europianë, kur ne kemi qenë në të njëjtin hall, sepse zjarri nuk njeh kufij, por dhe solidariteti i njerëzve që luftojnë kundër zjarreve nuk njeh kufij”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se Shqipëria është përgatitur për të përballuar sfidën që sjellin zjarret.

Ai theksoi se deri në fund të vitit, flotës së helikopterëve do t’i shtohen edhe tre helikopterë të rinj dhe se procedura për marrjen e tyre, tashmë ka përfunduar.

“Ky sezon do jetë një provë për atë çfarë jemi përgatitur. Kemi sot në dispozicion kapacitete teknologjie më të mëdha që kemi pasur ndonjëherë, me 5 helikopterë, të gatshëm, të cilët në çdo moment nevoje mund të bëhen gjashtë, sepse helikopterët operacionale janë 9, por kanë edhe misionet e tjera, si misionet e shpëtimit, si misionet për shëndetin.

Ndërkohë që kemi mbyllur procedurën për tre avionë, të cilët do të vijnë në fund të vitit dhe do jenë pronë e shtetit shqiptar. Gjithçka ka përfunduar si procedurë’, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se ka propozuar që punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes, që angazhohen në punën për shuarjen e zjarreve të shpërblehen menjëherë me një pagë ekstra, ndërsa u bëri thirrje të gjithë bashkive të veprojnë njësoj, edhe me forcat e tyre zjarrfikëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë