Drejtësia

Nga tokat te karburantet, pasuritë që iu sekuestruan ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese dhe dy ish-gjyqtarëve

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestro për pasuritë e ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja,  ish-gjyqtarit në  Gjykatën Kushtetuese, Fatos Lulo dhe ish–gjyqtarit në Gjykatën e Lartë, Shkëlzen Selimi, të cilët akuzohen për veprën penale të fshehjes së pasurisë.

Vendimi i SPAK-ut, vjen pas një hetimi penal, ku kanë rezultuar të dhëna, që ish-gjyqtarët kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur.

Të tre ish-gjyqtarëve që iu janë sekuestruar pasuritë, janë shkarkuar nga Vettingu dhe tashmë do të duhet të përballen dhe me akuza të tjera. Është hera e parë që nga nisja e Vettingut që vendoset një hetim i mëtejshëm përveç shkarkimit nga KPK dhe KPA.

Bashkim Dedja (ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese)

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja

GJKKO, pasi ka pranuar kërkesën e SPAK-ut, vendosi sekuestron mbi pasurinë në zotërim të Bashkim Dedjes (ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese), të llojit apartament, me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem Kavajë.

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit më 17 dhjetor të vitit 2018. Kolegji i Posaçëm i Apelimit nuk i pranoi si të ligjshme të ardhurat e pretenduara prej huave nga i vëllai dhe kunati i tij. Në vendimin e zbardhur të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Një nga argumentet e shkarkimit të Dedjes, ishin edhe paratë me origjinë nga emigracioni, që sipas trupës gjykuese nuk kishin të gjitha burim të ligjshëm.

Në vlerësimin përfundimtar, KPA gjeti se ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese kishte “në pronësi pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikojë ligjërisht dhe njëkohësisht nuk ka deklaruar plotësisht pasuritë në përdorim të tij. Për këtë arsye, nuk arrin nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë”.

Në fakt, Dedja e kaloi shkallën e parë të rivlerësimit. Por vendimi për të u ankimua nga Komisioneri Publik dhe ai u rrëzua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Fatos Lulo (ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese)

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo

Po ashtu, GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK-ut dhe ka vendosur sekuestron mbi pasurinë në zotërim të Fatos Lulos, me sipërfaqe 172 m2, e llojit Njësi/Dyqan, e ndodhur në “rrugën e Durrësit”, Tiranë.

Lulo, është një nga gjyqtarët e parë të shkarkuar nga procesi i Vettingut, pasi nuk justifikoi pasurinë e tij prej 480 mijë dollarë dhe një shtëpi në Kanada. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të largojë Lulon nga sistemi i drejtësisë me argumentin se të ardhurat e tij të ligjshme nga puna si gjyqtar nuk mbulojnë pasuritë e vendosura.

KPK ka zbardhur vendimin e tre komisionerëve, Genta Tafa, Brunilda Bekteshi dhe Etleda Çiftja, ku argumentohen arsyet pse Fatos Lulo përjashtohet nga sistemi i drejtësisë.

Në vendim, KPK thekson se “në përfundim të procesit të rivlerësimit për Lulon, vetëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë, referuar analizës për pasuritë dhe të ardhurat, konkludon që gjyqtarit t’i jepet masë disiplinore e shkarkimit nga detyra”.

Ai është i përfolur edhe për shkak të vendimeve tepër të diskutueshme mbi njerëz të lidhur me krimin. Lulo vendosi të rrëzojë dy gjykatat më të ulëta, duke mos e ekstraduar shtetasin Almir Rrapo, i cili do të gjykohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vrasje.

Një tjetër çështje e rëndësishme në duart e Fatos Lulos, ishte ajo e uljes së dënimit për Edmond Begon, alias Manoli Bega. Nga 21 vite burg që ishte dënuar në Itali, Lulo ia uli dënimin Begos me 4 vjet e 4 muaj në Shqipëri, dënim, të cilin nuk e kreu asnjëherë.

Shkëlzen Selimi (ish-anëtar i Gjykatës së Lartë)

Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi

Pasuritë që i janë sekuestruar ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, janë me vendndodhje në Vlorë. Selimit, iu sekuestrua nga SPAK ditën e sotme, trualli me sipërfaqe 432 m2 dhe karburanti 132.25 m2 në shëtitoren e Lungomares në Vlorë.

Gjithashtu, është dhe një truall-sipërfaqe 2400 m2, e përbërë nga bashkim pasurish, në Jonufër të Vlorës, në pronësi të babait të tij, Kujtim Selimit dhe një truall tjetër me sipërfaqe 764 m2 dhe karburant me sipërfaqe 57 m2 në rrugën Transballkanike në Vlorë, në pronësi sërish të babait të tij, Kujtim Selimi.

Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, u shkarkua vetëm mbi kriterin e pastërtisë së figurës. Ai u gjet, sipas KPK dhe më pas KPA-së, në lidhje me Krimin e Organizuar.

Pasuritë e Selimit kaluan në procesin e rivlerësimit, kur këtij procesi iu nënshtrua edhe bashkëshortja, gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit.

KPK nuk gjeti probleme në rastin e saj. Vendimi megjithatë u ankimua për të tre kriteret nga Komisioneri Publik, me rekomandim të ONM-së.

Ai është eliminuar nga Vettingu për shkak të vendimeve tepër të diskutueshme mbi persona të lidhur me krimin dhe mosplotësimit të elementit të vetëm, atë të pastërtisë së figurës. 

Gjithashtu, Selimi, së bashku me gjyqtarët Tom Ndreca dhe Artan Zeneli, e cilësuan tragjedinë e Gërdecit si aksident teknologjik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë